Zbulesa 9
1 Dhe engjëlli i pestë i ra trumbetës, dhe pashë një yll që kishte rënë prej qiellit në tokë; dhe iu dha atij çelësi i pusit të Abisit.
2 Dhe ai e hapi pusin e Abisit, dhe u ngjit tym prej pusit, si tymi i një furre të madhe, dhe dielli e ajri u errësuan prej tymit të pusit.
3 Dhe prej tymit dolën karkaleca në tokë, dhe iu dha atyre pushtet, siç kanë pushtet akrepat e tokës.
4 Dhe iu tha atyre që të mos dëmtonin barin e tokës dhe as ndonjë bimë të gjelbër, dhe as ndonjë pemë, por veç njerëzit, vetëm ata të cilët nuk e kanë vulën e Perëndisë mbi ballin e tyre.
5 Dhe nuk iu lejua atyre që t'i vrisnin këta, por që këta të torturoheshin për pesë muaj; dhe tortura e tyre ishte si torturë akrepi kur pickon një njeri.
6 Dhe në ato ditë njerëzit do ta kërkojnë vdekjen dhe nuk do ta gjejnë; madje do të dëshirojnë të vdesin dhe vdekja do të ikë nga ata.
7 Dhe pamja e karkalecave ishte e ngjashme me kuaj që janë përgatitur për luftë, dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora të ngjashme me arin, dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.
8 Dhe kishin flokë si flokë grash, dhe dhëmbët e tyre ishin si të luanëve.
9 Dhe kishin parzmore si parzmore të hekurta, dhe zhurma e krahëve të tyre ishte si zhurmë karrocash me shumë kuaj që vrapojnë për në luftë.
10 Dhe kishin bishta të ngjashëm me akrepa, dhe kishte thumba në bishtat e tyre; dhe pushteti i tyre ishte për të dëmtuar njerëzit për pesë muaj.
11 Dhe kishin për mbret mbi ta engjëllin e Abisit; emri i tij në hebraisht është Abadon, dhe në greqisht emrin e ka Apolion.
12 Njëri mjerim shkoi; ja, po vijnë ende dy mjerime mbas këtyre gjërave.
13 Dhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës dhe unë dëgjova një zë prej të katër brirëve të altarit të artë, që është përpara Perëndisë,
14 duke i thënë engjëllit të gjashtë, i cili kishte trumbetën: "Zgjidhi të katër engjëjt që janë lidhur te lumi i madh Eufrat!".
15 Dhe u zgjidhën të katër engjëjt që janë përgatitur për orën dhe ditën, dhe muajin, dhe vitin, me qëllim që të vrisnin një të tretën e njerëzve.
16 Dhe numri i trupave të kalorësisë ishte dyqind milionë; dhe e dëgjova numrin e tyre.
17 Dhe unë i pashë kështu në vegim kuajt dhe ata që kalëronin mbi ta: kishin parzmore të kuqe zjarri dhe blu hiacinti, dhe të verdhë squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh; dhe prej gojëve të tyre dilte zjarr dhe tym, dhe squfur.
18 Nga këto të tria, pra prej zjarrit dhe prej tymit, dhe prej squfurit që dilte prej gojëve të tyre, u vranë një e treta e njerëzve.
19 Se pushteti i tyre ishte në gojën e tyre dhe në bishtat e tyre, sepse bishtat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, ngaqë kishin koka dhe me to dëmtonin.
20 Dhe pjesa tjetër e njerëzve, të cilët nuk u vranë me këto plagë, nuk u penduan për veprat e duarve të tyre, që të mos adhuronin demonët dhe idhujt e artë dhe të argjendtë, dhe të bronztë, dhe të gurtë, dhe të drunjtë, të cilët nuk munden as të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin.
21 Dhe nuk u penduan për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvërinë e tyre, as për vjedhjet e tyre.
Të gjithë librat
