Ky përkthim synon të jetë në thelb i fjalëpërfjalshëm, duke u përpjekur të ruajë, për aq sa e lejon struktura dhe stili i shqipes, përbërësit leksikorë dhe sintaksorë të origjinalit. Për këtë arsye, atëherë kur kjo nuk është e mundur, ose kur ekzistojnë dy a më shumë mundësi përkthimi apo kuptimi, çdo gjë është pasqyruar me shënime përkatëse. Po ashtu, në dallim nga versionet e tjera në shqip, thuajse çdo ndryshim tekstual mes botimeve kritike të Textus Receptus-it dhe Nestle-Aland-it është pasqyruar me shënime përkatëse në variantin interlinear dhe, në raste specifike, në variantin standard të Shkrimit të Shenjtë.
Tek përkthimi Bibla PRO për çdo fjalë në përkthimin standard do të gjeni fjalën përkatëse në tekstin origjinal dhe të dhënat morfologjike të saj, përveç fjalëve që janë dhënë me shkronja të pjerrëta, të cilat nuk janë të lidhura me asnjë fjalë në tekstin origjinal dhe për të cilat nuk do të ofrohet kërkim në sistem.
Një nga risitë më të mëdha që vjen përmes Bibla PRO është se për herë të parë në shqip ofrohet një variant interlinear përkthimi, ku lexuesi ka mundësi të ndjekë tekstin në gjuhët origjinale përmes përkthimit të çdo fjale në shqip.
Po ashtu, përmes këtij varianti, për herë të parë lexuesi shqiptar mund të bëjë një kërkim përmes programit online të një fjale apo grupi fjalësh dhe të shohë në origjinal me përkthim poshtë të gjitha rastet e përdorimit të asaj fjale apo grupi fjalësh.