Zbulesa 7
1 Dhe mbas këtyre, unë pashë katër engjëj duke qëndruar në të katër qoshet e tokës dhe duke mbajtur fort të katër erërat e tokës, me qëllim që të mos frynte erë mbi tokë, as mbi det, as mbi ndonjë pemë.
2 Dhe pashë një engjëll tjetër duke u ngjitur nga lindja e diellit, që kishte vulën e Perëndisë së gjallë, dhe u thirri me zë të lartë të katër engjëjve, të cilëve iu dha të dëmtojnë tokën dhe detin,
3 duke thënë: "Të mos dëmtoni tokën, as detin, as pemët, derisa të vulosim skllevërit e Perëndisë tonë mbi ballin e tyre".
4 Dhe dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur prej çdo fisi të bijve të Izraelit:
5 prej fisit të Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Gadit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
6 prej fisit të Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Neftalit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
7 prej fisit të Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
8 prej fisit të Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.
9 Mbas këtyre gjërave unë pashë dhe, ja, një turmë e madhe, të cilën nuk mund ta numëronte asnjë, prej çdo kombi dhe fisi, dhe populli, dhe gjuhe, duke qëndruar përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me petka të bardha. Dhe ata kishin palma në duart e tyre,
10 dhe ishin duke thirrur me zë të lartë, duke thënë: "Shpëtimi i përket Perëndisë tonë, që rri ulur mbi fron, dhe Qengjit!".
11 Dhe të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit dhe pleqve, dhe të katër gjallesave; dhe ata ranë përmbys përpara fronit mbi fytyrën e tyre, dhe adhuruan Perëndinë,
12 duke thënë: "Amen! Bekimi dhe lavdia, dhe urtësia, dhe falënderimi, dhe nderi, dhe fuqia, dhe forca i përkasin Perëndisë tonë në shekuj të shekujve. Amen!".
13 Dhe një prej pleqve mori fjalën, duke më thënë: "Këta që janë veshur me petkat e bardha, cilët janë dhe prej nga erdhën?".
14 Dhe unë i thashë atij: "Zotëri, ti e di". Dhe ai më tha: "Këta janë ata që vijnë prej mundimit të madh dhe i lanë petkat e tyre, dhe i zbardhën në gjakun e Qengjit.
15 Për këtë arsye janë përpara fronit të Perëndisë dhe i ofrojnë shërbesë atij ditë e natë në shenjtëroren e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron, do ta shtrijë tabernakullin e tij mbi ta.
16 Nuk do të kenë më uri dhe as nuk do të kenë më etje, dhe as nuk do të bjerë mbi ta dielli, dhe as ndonjë nxehtësi përvëluese,
17 sepse Qengji që është në mes të fronit, do t'i baritojë dhe do t'i udhëheqë te burime të gjalla ujërash; dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre".
Të gjithë librat
