Zbulesa 6
1 Dhe pashë kur Qengji hapi një prej vulave, dhe dëgjova një prej të katër gjallesave, duke thënë si me zë bubullime: "Eja dhe shiko!".
2 Dhe pashë, dhe ja, një kalë i bardhë; dhe ai që kalëronte mbi të, kishte një hark. Dhe iu dha atij një kurorë, dhe ai doli duke fituar, dhe që të fitonte.
3 Dhe kur hapi vulën e dytë, dëgjova gjallesën e dytë duke thënë: "Eja dhe shiko!".
4 Dhe doli një kalë tjetër, i kuq flakë; dhe atij që kalëronte mbi të, iu dha të hiqte paqen nga toka dhe që njerëzit të thernin njëri-tjetrin. Dhe iu dha atij një shpatë e madhe.
5 Dhe kur hapi vulën e tretë, dëgjova gjallesën e tretë duke thënë: "Eja dhe shiko!". Dhe pashë, dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që kalëronte mbi të, kishte një peshore në dorën e tij.
6 Dhe dëgjova një zë në mes të katër gjallesave, duke thënë: "Një kenik gruri për një denar dhe tre kenikë elbi për një denar; por vajin dhe verën të mos i dëmtosh".
7 Dhe kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt duke thënë: "Eja dhe shiko!".
8 Dhe pashë, dhe ja, një kalë i gjelbëremë; dhe ai që kalëronte përmbi të, e kishte emrin Vdekja, dhe Hadesi vinte pas me të. Dhe iu dha atyre pushtet mbi një të katërtën e tokës, për të vrarë me shpatë dhe me zi buke, dhe me vdekje, dhe përmes bishave të tokës.
9 Dhe kur hapi vulën e pestë, pashë poshtë altarit shpirtrat e atyre që janë therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin.
10 Dhe ata thërrisnin me zë të lartë, duke thënë: "Deri kur, o Sundimtar i shenjtë dhe i vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi tokë?".
11 Dhe iu dhanë secilit petka të bardha, dhe iu tha atyre që të preheshin ende për pak kohë, derisa të përmbushet numri edhe i bashkëskllevërve dhe vëllezërve të tyre, që do të vriten ashtu si dhe ata.
12 Dhe pashë kur hapi vulën e gjashtë, dhe ja, ra një tërmet i madh dhe dielli u bë i zi si thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak,
13 dhe yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si një fik hedh fiqtë e vet të paarrirë kur tundet nga një erë e madhe.
14 Dhe qielli u nda si një rrotull që mbështillet, dhe çdo mal e ishull u lëvizën prej vendeve të tyre.
15 Dhe mbretërit e tokës, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë u fshehën nëpër shpellat dhe nëpër shkëmbinjtë e maleve;
16 dhe u thoshin maleve dhe shkëmbinjve: "Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri ulur mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij, dhe kush mund të qëndrojë?!".
Të gjithë librat
