Zbulesa 5
1 Dhe pashë në të djathtën e atij që rrinte ulur mbi fron, një rrotull të shkruar përbrenda dhe përmbrapa, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fortë duke shpallur me zë të lartë: "Kush është i denjë për ta hapur rrotullën dhe për t'i zgjidhur vulat e saj?".
3 Por asnjë nuk mundej, as në qiell dhe as mbi tokë, dhe as poshtë tokës, që ta hapte rrotullën, dhe as që ta shihte atë.
4 Dhe unë qaja shumë, sepse nuk u gjet asnjë i denjë për ta hapur dhe për ta lexuar rrotullën, as për ta parë atë.
5 Dhe një prej pleqve më tha: "Mos qaj! Ja, Luani që është prej fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi që të hapë rrotullën dhe të zgjidhë të shtatë vulat e saj".
6 Dhe pashë, dhe ja, në mes të fronit dhe të katër gjallesave, dhe në mes të pleqve, një Qengj që qëndronte si i therur, që kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, të cilët janë të shtatë frymërat e Perëndisë, që janë dërguar në gjithë tokën.
7 Dhe ai erdhi, dhe e mori rrotullën prej së djathtës së atij që rrinte ulur mbi fron.
8 Dhe kur e mori rrotullën, të katër gjallesat dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili qeste dhe tase të arta të mbushura me temjan, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe ata këndonin një këngë të re, duke thënë: "I denjë je për të marrë rrotullën dhe për të hapur vulat e saj, sepse u there dhe me gjakun tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi dhe gjuhe, dhe populli, dhe kombi,
10 dhe na bëre mbretër dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi tokë".
11 Dhe pashë e dëgjova një zë shumë engjëjsh rreth e qark fronit dhe gjallesave, dhe pleqve. Dhe numri i tyre ishte dhjetëra mijëra dhjetëra mijërash e mijëra mijërash,
12 duke thënë me zë të lartë: "I denjë është Qengji që është therur, për të marrë fuqinë dhe pasurinë, dhe urtësinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin!".
13 Dhe çdo krijesë që është në qiell dhe në tokë, dhe poshtë tokës, dhe ato që janë në det, dhe të gjitha që ndodhen në ta, i dëgjova duke thënë: "Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit u qofshin bekimi dhe nderi, dhe lavdia, dhe pushteti në shekuj të shekujve!".
14 Dhe të katër gjallesat thoshin: "Amen!", dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan atë që jeton në shekuj të shekujve.
Të gjithë librat
