Zbulesa 4
1 Mbas këtyre gjërave unë pashë dhe, ja, një derë që ishte hapur në qiell; dhe zëri i parë, të cilin e kisha dëgjuar si zë trumbete që fliste me mua, tha: "Ngjitu këtu dhe do të të tregoj ato që duhet të ndodhin mbas këtyre".
2 Dhe menjëherë u ndodha në Frymë dhe, ja, një fron qëndronte në qiell dhe mbi fron dikush që rrinte ulur.
3 Dhe ai që rrinte ulur, ishte i ngjashëm nga pamja me një gur diaspri dhe sardi, dhe rreth e qark fronit ishte një ylber i ngjashëm nga pamja me smeraldin.
4 Dhe rreth e qark fronit kishte njëzet e katër frone, dhe mbi fronet pashë të ulur njëzet e katër pleq, të veshur me rroba të bardha, dhe mbi kokat e tyre patën kurora të arta.
5 Dhe prej fronit dilnin vetëtima dhe bubullima, dhe zëra. Dhe aty kishte shtatë pishtarë zjarri që digjeshin përpara fronit, të cilët janë të shtatë frymërat e Perëndisë.
6 Dhe përpara fronit ishte një det i qelqtë, i ngjashëm me kristalin. Dhe në mes të fronit e përreth fronit ishin katër gjallesa të mbushura me sy përpara dhe përmbrapa.
7 Dhe gjallesa e parë ishte e ngjashme me një luan, dhe gjallesa e dytë ishte e ngjashme me një viç, dhe gjallesa e tretë e kishte fytyrën si një njeri, dhe gjallesa e katërt ishte e ngjashme me një shqiponjë që fluturon.
8 Dhe katër gjallesat veç e veç, kishin secila nga gjashtë krahë, dhe rreth e qark e përbrenda ishin të mbushura me sy; dhe nuk bëjnë pushim ditë e natë duke thënë: "I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë është Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, ai që ishte dhe që është, dhe që po vjen".
9 Dhe kurdo që gjallesat i japin lavdi dhe nder, dhe falënderim atij që rri ulur mbi fron, atij që jeton në shekuj të shekujve,
10 të njëzet e katër pleqtë bien përmbys përpara atij që rri ulur mbi fron dhe e adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve, dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:
11 "I denjë je, o Zot, për të marrë lavdinë dhe nderin, dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha dhe për shkak të vullnetit tënd janë dhe u krijuan".
Të gjithë librat
