Zbulesa 22
1 Dhe më tregoi një lumë të pastër uji jete, të kthjellët si kristal, duke buruar prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit,
2 në mes të rrugës së gjerë të qytetit. Dhe këndej e andej lumit ishte një pemë jete, që bën dymbëdhjetë fruta, që jep frutën e saj për çdonjërin muaj; dhe gjethet e pemës janë për shërim të kombeve.
3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe froni i Perëndisë e i Qengjit do të jetë në të, dhe skllevërit e tij do t'i ofrojnë shërbesë atij;
4 dhe ata do të shikojnë fytyrën e tij, dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.
5 Edhe natë nuk do të ketë atje, dhe nuk do të kenë nevojë për kandil e dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon ata; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
6 Dhe më tha: "Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta"; dhe Zoti, Perëndia i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij për t'u treguar skllevërve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti.
7 "Ja, po vij shpejt! Lum ai që mban fjalët e profecisë së këtij libri".
8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që po i shihte këto gjëra dhe po i dëgjonte. Dhe kur i dëgjova dhe i pashë, rashë përmbys për të adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m'i tregoi këto.
9 Por ai më tha: "Shiko se mos e bën! Sepse unë jam skllav bashkë me ty dhe vëllezërit e tu, profetët, dhe me ata që mbajnë fjalët e këtij libri. Perëndinë adhuro!".
10 Dhe më tha: "Të mos i vulosësh fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.
11 Ai që bën padrejtësi, të bëjë ende padrejtësi; dhe ai që fëlliq, të fëlliqë ende; dhe i drejti të drejtësohet ende; dhe i shenjti të shenjtërohet ende".
12 "Dhe ja, po vij shpejt! Dhe shpërblimi im është me mua, për t'i dhënë secilit ashtu siç do të jetë vepra e tij.
13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit".
14 Lum ata që i zbatojnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën e tyre për pemën e jetës dhe që të hyjnë në qytet përmes portave.
15 Por jashtë janë qentë dhe magjistarët, dhe kurvarët, dhe vrasësit, dhe idhujtarët, dhe kushdo që do dhe që ushtron gënjeshtër.
16 "Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t'ju dëshmuar juve këto gjëra për kishat. Unë jam rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli shkëlqyes dhe agimor".
17 Dhe Fryma, dhe nusja thonë: "Eja!". Edhe ai që dëgjon, të thotë: "Eja!". Dhe ai që ka etje, të vijë; dhe ai që dëshiron, të marrë ujin e jetës falas.
18 Se unë i dëshmoj çdokujt që i dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri: po t'u shtojë dikush këtyre gjërave, Perëndia do t'i shtojë atij plagët që janë shkruar në këtë libër;
19 dhe po të heqë dikush nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do të heqë pjesën e tij nga libri i jetës dhe prej qytetit të shenjtë, dhe të atyre gjërave që janë shkruar në këtë libër.
20 Ai që i dëshmon këto gjëra thotë: "Po, po vij shpejt!". Amen! Po, eja, o Zoti Jezus!
21 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me të gjithë ju! Amen!
Të gjithë librat
