Zbulesa 21
1 Dhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; se qielli i parë dhe toka e parë kaluan, dhe deti nuk është më.
2 Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, duke zbritur nga Perëndia prej qiellit, që ishte përgatitur si nuse e stolisur për burrin e saj.
3 Dhe dëgjova një zë të lartë prej qiellit, duke thënë: "Ja, tabernakulli i Perëndisë është me njerëzit dhe ai do të banojë bashkë me ta, dhe ata do të jenë popuj të tij, dhe vetë Perëndia do të jetë me ta si Perëndi i tyre.
4 Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më; as vajtim, as britmë, as dhembje nuk do të ketë më, sepse të parat shkuan".
5 Dhe ai që rrinte ulur mbi fron, tha: "Ja, po i bëj të gjitha të reja!". Dhe më tha: "Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe të besueshme".
6 Dhe më tha: "U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi. Atij që ka etje, unë do t'i jap falas prej burimit të ujit të jetës.
7 Ai që fiton, do t'i trashëgojë të gjitha dhe unë do t'i jem Perëndi dhe ai do të më jetë bir".
8 Ndërsa për frikacakët dhe mosbesuesit, dhe të neveritshmit, dhe vrasësit, dhe kurvarët, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe të gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr e squfur, që është vdekje e dytë".
9 Dhe erdhi tek unë një prej të shtatë engjëjve që kishin të shtatë taset që ishin mbushur me të shtatë plagët e fundit, dhe foli me mua, duke thënë: "Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit".
10 Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh e të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jerusalemin e shenjtë, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia
11 dhe duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe ndriçimi i tij ishte i ngjashëm me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.
12 Dhe kishte një mur të madh e të lartë; kishte dymbëdhjetë porta dhe mbi portat kishte dymbëdhjetë engjëj dhe emra të mbishkruar, që janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
13 Nga lindja kishte tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.
14 Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, dhe në çdonjërin ishin emrat e të dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Dhe ai që fliste me mua kishte një kallam të artë, që të maste qytetin dhe portat e tij, dhe murin e tij.
16 Dhe qyteti shtrihet si një katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është aq sa ç'është dhe gjerësia. Dhe ai e mati qytetin me kallamin për dymbëdhjetë mijë stade (gjatësia dhe gjerësia, dhe lartësia e tij janë të barabarta).
17 Mati edhe murin e tij: njëqind e dyzet e katër kute masë njeriu, e cila është edhe masë engjëlli.
18 Dhe materiali i ndërtimit të murit të tij ishte diaspër, dhe qyteti ishte ar i kulluar, i ngjashëm me qelq të pastër.
19 Dhe themelet e murit të qytetit ishin të stolisura me çdo lloj guri të çmuar; themeli i parë ishte diaspër, i dyti safir, i treti kalcedon, i katërti smerald,
20 i pesti sardonik, i gjashti sard, i shtati krizolit, i teti beril, i nënti topaz, i dhjeti krizopraz, i njëmbëdhjeti hiacint, i dymbëdhjeti ametist.
21 Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë; gjithsecila nga portat ishte prej një margaritari të vetëm. Edhe rruga e gjerë e qytetit ishte ar i kulluar, si qelq i tejdukshëm.
22 Dhe nuk pashë shenjtërore në të, sepse Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, është shenjtërorja e tij, si dhe Qengji.
23 Dhe qyteti nuk ka nevojë për diellin dhe as për hënën, që të shndrisin në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon dhe kandili i qytetit është Qengji.
24 Dhe kombet e atyre që janë shpëtuar, do të ecin në dritën e qytetit, dhe mbretërit e tokës do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
25 Dhe portat e tij nuk do të mbyllen fare gjatë ditës, sepse nuk do të ketë natë atje;
26 dhe do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të.
27 Por nuk do të hyjë aspak në të asgjë që ndyn dhe që bën neveri e gënjeshtër, përveç atyre që janë shkruar në librin e jetës të Qengjit.
Të gjithë librat
