Zbulesa 20
1 Dhe pashë një engjëll duke zbritur prej qiellit, që kishte çelësin e Abisit dhe një zinxhir të madh në dorën e tij.
2 Dhe e kapi dragoin, gjarprin e lashtë, i cili është Djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,
3 dhe e hodhi në Abis. Dhe e mbylli aty Satanin, dhe e vulosi daljen përmbi të, me qëllim që të mos mashtronte më kombet, derisa të përfundoheshin të një mijë vjetët; dhe mbas këtyre ai duhet të zgjidhet për pak kohë.
4 Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to, dhe iu dha atyre për të bërë gjykim. Dhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për shkak të dëshmisë së Jezusit dhe për shkak të fjalës së Perëndisë, dhe të cilët nuk e adhuruan bishën, as figurën e saj, dhe nuk e morën damkën mbi ballin e tyre dhe mbi dorën e tyre. Dhe ata u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.
5 Por të vdekurit e tjerë nuk u rikthyen në jetë, derisa të përfundoheshin të një mijë vjetët. Kjo është ringjallja e parë.
6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë! Mbi këta vdekja e dytë nuk ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.
7 Dhe kur të përfundohen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet prej burgut të tij
8 dhe do të dalë për të mashtruar kombet që janë në të katër qoshet e tokës, Gogun dhe Magogun, që t'i mbledhë ata për luftë; numri i të cilëve do të jetë si rëra e detit.
9 Dhe ata u ngjitën mbi gjerësinë e tokës, dhe rrethuan fushimin e shenjtorëve dhe qytetin e dashur; por zbriti zjarr nga Perëndia prej qiellit dhe i përpiu.
10 Dhe djalli, ai që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit dhe të squfurit, ku ndodheshin bisha dhe profeti i rremë, dhe do të torturohen ditë e natë në shekuj të shekujve.
11 Dhe pashë një fron të bardhë, të madh, dhe atë që rri ulur mbi të, nga fytyra e të cilit iku toka dhe qielli, dhe nuk u gjet vend për ta.
12 Dhe pashë të vdekurit, të vegjël dhe të mëdhenj, duke qëndruar përpara Perëndisë, dhe u hapën libra; edhe një libër tjetër u hap, i cili është libri i jetës. Dhe të vdekurit u gjykuan prej atyre gjërave që janë shkruar në ata libra, sipas veprave të tyre.
13 Dhe deti i dha të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi i dhanë të vdekurit që ishin në ta; dhe u gjykuan secili sipas veprave të tyre.
14 Dhe vdekja, dhe Hadesi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
15 Dhe nëse dikush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.
Të gjithë librat
