Zbulesa 2
1 "Engjëllit të kishës së Efesit shkruaji: Këto thotë ai që mban fort të shtatë yjet në të djathtën e tij, ai që ecën në mes të shtatë kandilerëve të artë:
2 I di veprat e tua dhe mundin tënd, dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe se nuk mund t'i durosh të këqijtë; madje i sprovove ata që pohojnë se janë apostuj dhe nuk janë, dhe i gjete gënjeshtarë;
3 dhe durove, dhe ke qëndrueshmëri, dhe për hir të emrit tim je munduar e nuk je lodhur.
4 Por kam kundër teje këtë: që dashurinë tënde të parë e le.
5 Kujtohu, pra, nga ku ke rënë dhe pendohu, dhe bëj veprat e para. Përndryshe do të vij te ti shpejt dhe do ta lëviz kandilerin tënd prej vendit të tij, po të mos pendohesh.
6 Por ti ke këtë: që i urren veprat e nikolaitëve, të cilat edhe unë i urrej.
7 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Atij që fiton, do t'i jap për të ngrënë prej pemës së jetës, e cila është në mes të Parajsës së Perëndisë".
8 "Dhe engjëllit të kishës së Smirnës shkruaji: Këto thotë i pari dhe i fundit, i cili qe i vdekur dhe u kthye në jetë:
9 I di veprat e tua dhe mundimin, dhe varfërinë (por je i pasur), dhe fyerjen e atyre që thonë për veten e tyre se janë judenj dhe nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.
10 Mos u frikëso aspak nga ato që do të vuash. Ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, me qëllim që të sprovoheni, dhe do të keni mundim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.
11 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Ai që fiton, nuk do të dëmtohet fare prej vdekjes së dytë".
12 "Dhe engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: Këto thotë ai që ka shpatën e mprehtë dytehëshe:
13 I di veprat e tua dhe ku banon, aty ku është froni i Satanit; dhe ti e mban fort emrin tim, dhe nuk e mohove besimin tim edhe në ditët në të cilat jetoi Antipa, dëshmitari im besnik, i cili u vra mes jush, aty ku banon Satani.
14 Por kam pak gjëra kundër teje: që ke atje disa që mbajnë fort mësimin e Balaamit, i cili e mësonte Balakun të vendoste shkandull përpara bijve të Izraelit, që të hanin flijime idhujsh dhe të kurvëronin.
15 Kështu ke edhe ti disa që mbajnë fort mësimin e nikolaitëve, gjë të cilën e urrej.
16 Pendohu, përndryshe do të vij te ti shpejt dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
17 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Atij që fiton, do t'i jap për të ngrënë nga mana e fshehur; dhe do t'i jap një guralec të bardhë, dhe mbi guralecin është shkruar një emër i ri, të cilin askush nuk e njohu, përveç atij që e merr".
18 "Dhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë e tij si flakë zjarri dhe këmbët e tij të ngjashme me bronz të kulluar:
19 I di veprat e tua dhe dashurinë, dhe shërbimin, dhe besimin, dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe se edhe veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Por kam kundër teje pak gjëra: që e lejon gruan Jezabel, atë që e quan veten profeteshë, që të mësojë e të mashtrojë skllevërit e mi që të kurvërojnë dhe të hanë flijime idhujsh.
21 Dhe unë i dhashë asaj kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, dhe ajo nuk u pendua.
22 Ja, unë po e flak atë në një shtrat lëngimi, dhe ata që bëjnë kurorëshkelje me të, në mundim të madh, po të mos pendohen për veprat e tyre.
23 Dhe fëmijët e saj do t'i vras me vdekje, dhe të gjitha kishat do të marrin vesh se unë jam ai që heton veshkat dhe zemrat; dhe do t'ju jap secilit nga ju sipas veprave tuaja.
24 Por po ju them juve, edhe të tjerëve që janë në Tiatirë, gjithë sa nuk e kanë këtë mësim dhe të cilët nuk i njohën 'thellësitë e Satanit', siç i thonë: nuk do të vë mbi ju tjetër barrë.
25 Veçse, atë që keni, mbajeni fort derisa të vij.
26 Dhe atij që fiton, dhe atij që i mban deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet
27 "dhe do t'i baritojë ato me shkop të hekurt, siç thyhen enët prej argjile", ashtu si edhe unë kam marrë pushtet nga Ati im;
28 dhe do t'i jap atij yllin mëngjesor.
29 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave".
Të gjithë librat
