Zbulesa 19
1 Dhe mbas këtyre gjërave dëgjova një zë të lartë të një turme të madhe në qiell, duke thënë: "Aleluja! Shpëtimi dhe lavdia, dhe nderi, dhe fuqia janë për Zotin, Perëndinë tonë,
2 sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij, sepse e gjykoi kurvën e madhe, e cila prishte tokën me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e skllevërve të tij, të derdhur prej dorës së saj".
3 Dhe për herë të dytë thanë: "Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve".
4 Dhe të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër gjallesat ranë përmbys dhe adhuruan Perëndinë që rri ulur mbi fron, duke thënë: "Amen! Aleluja!".
5 Dhe një zë doli prej fronit, duke thënë: "Lavdëroni Perëndinë tonë, të gjithë ju, skllevërit e tij, dhe ju që e keni frikë atë, edhe të vegjlit edhe të mëdhenjtë!".
6 Dhe dëgjova një si zë të një turme të madhe dhe një si zë ujërash të shumta, dhe një si zë bubullimash të forta, duke thënë: "Aleluja! Sepse mbretëroi Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi!
7 Të gëzohemi e të ngazëllohemi, dhe t'ia japim lavdinë atij, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij u përgatit".
8 Dhe iu dha asaj që të vishej me pëlhurë liri të pastër dhe shkëlqyese (se pëlhura e lirit janë veprat e drejta të shenjtorëve).
9 Dhe më tha: "Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në darkën e dasmës së Qengjit". Dhe më tha: "Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë".
10 Dhe unë rashë përmbys përpara këmbëve të tij për ta adhuruar. Dhe ai më tha: "Shiko se mos e bën! Unë jam skllav bashkë me ty dhe vëllezërit e tu, që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuro! Se dëshmia e Jezusit është fryma e profecisë".
11 Dhe e pashë qiellin të hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që kalëronte mbi të quhej "Besnik" dhe "i Vërtetë", dhe gjykon e lufton me drejtësi.
12 Tani, sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kokën e tij kishte shumë diadema. Kishte të shkruar një emër të cilin asnjë nuk e di përveç atij,
13 dhe ishte i veshur me një rrobë që është ngjyer në gjak, dhe emri i tij thirret "Fjala e Perëndisë".
14 Dhe trupat ushtarake që ishin në qiell, e ndiqnin hipur mbi kuaj të bardhë, të veshur me pëlhurë liri të bardhë dhe të pastër.
15 Dhe prej gojës së tij del një shpatë e mprehtë, që me të të godasë kombet; dhe "ai do t'i baritojë ata me shkop të hekurt"; dhe ai shkel vençën e verës së tërbimit dhe të zemërimit të Perëndisë, të Gjithëpushtetshmit.
16 Dhe mbi rrobën, dhe mbi kofshën e tij ka të shkruar një emër: "Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve".
17 Dhe pashë një engjëll duke qëndruar në diell, dhe bërtiti me zë të lartë, duke u thënë të gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: "Ejani dhe mblidhuni për darkën e të madhit Perëndi,
18 që të hani mishra mbretërish e mishra komandantësh, dhe mishra të fortësh, dhe mishra kuajsh e të atyre që kalërojnë mbi ta, si dhe mishrat e të gjithëve, qoftë të të lirëve e qoftë të skllevërve, edhe të të vegjëlve, edhe të të mëdhenjve".
19 Dhe pashë bishën dhe mbretërit e tokës, si dhe trupat e tyre ushtarake, që ishin mbledhur për të bërë luftë me atë që kalëronte mbi kalë dhe me trupën e tij ushtarake.
20 Dhe bisha u kap, e bashkë me të edhe profeti i rremë, ai që kishte bërë në praninë e saj shenjat me të cilat mashtroi ata që morën damkën e bishës dhe ata që adhurojnë figurën e saj. Të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrit, që digjet me squfur.
21 Dhe të tjerët u vranë me shpatën që del prej gojës së atij që kalëronte mbi kalë, dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishrat e tyre.
Të gjithë librat
