Zbulesa 18
1 Dhe mbas këtyre gjërave pashë një engjëll tjetër duke zbritur prej qiellit, që kishte pushtet të madh; dhe toka u ndriçua prej lavdisë së tij.
2 Dhe ai bërtiti me forcë, me zë të lartë, duke thënë: "Ra, ra Babilonia e Madhe! Dhe ajo u bë banesë demonësh dhe kafaz i çdo fryme të ndyrë, dhe kafaz i çdo shpendi të papastër dhe të urryer.
3 Sepse prej verës së tërbimit të kurvërisë së saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e tokës kurvëruan me të, dhe tregtarët e tokës u pasuruan prej fuqisë së sensualitetit të saj".
4 Dhe dëgjova një zë tjetër prej qiellit, duke thënë: "Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni bashkëpjesëmarrës në mëkatet e saj dhe që të mos merrni prej plagëve të saj,
5 sepse mëkatet e saj u bënë pirg deri në qiell dhe Perëndia i kujtoi krimet e saj.
6 Shpërblejani siç edhe ajo vetë jua shpërbleu dhe kthejani dyfish, sipas veprave të saj; në kupën të cilën e përzjeu, përziejani dyfish.
7 Aq sa e lëvdoi vetveten dhe jetoi në sensualizëm, po aq jepini torturim dhe vajtim, sepse në zemrën e saj thotë: 'Unë rri ulur si mbretëreshë dhe nuk jam vejushë, dhe vajtim nuk do të shoh kurrë'.
8 Për këtë arsye, në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekje dhe vajtim, dhe zi buke, dhe do të digjet krejt në zjarr; sepse i fortë është Zoti Perëndi, ai që e gjykon atë.
9 Dhe do ta qajnë atë e do të rrahin gjoksin me grushte për të mbretërit e tokës, ata që kurvëruan dhe jetuan në sensualizëm me të, kur të shohin tymin e djegies së saj,
10 duke qëndruar larg për shkak të frikës së torturimit të saj dhe duke thënë: 'Mjerë! Mjerë, o qyteti i madh! Babiloni, o qyteti i fortë! Se në një orë të vetme erdhi gjykimi yt'.
11 Dhe tregtarët e tokës qajnë dhe vajtojnë për të, sepse asnjë nuk blen më ngarkesën e tyre:
12 ngarkesë ari e argjendi, dhe guri të çmuar e margaritari, dhe liri të hollë e purpuri, dhe mëndafshi e të kuqe të ndezur, dhe çdo druri aromatik, dhe çdo ene fildishi e çdo ene prej druri shumë të çmuar, dhe prej bronzi e hekuri, dhe prej mermeri,
13 dhe kanellë, dhe temjan e vaj erëmirë, dhe livandë, dhe verë e vaj, dhe majë mielli e grurë, dhe bagëti e dele, dhe ngarkesë kuajsh e qerresh, dhe trupash e shpirtra njerëzish.
14 'Edhe fruta e arrirë e dëshirimit të shpirtit tënd u largua nga ti, edhe të gjitha gjërat luksoze dhe shkëlqyese u larguan nga ti, dhe nuk do t'i gjesh më kurrë'.
15 Tregtarët e këtyre gjërave, ata që u pasuruan nga ajo, do të qëndrojnë larg, për shkak të frikës së torturimit të saj, duke qarë e duke vajtuar,
16 dhe duke thënë: 'Mjerë! Mjerë, qyteti i madh, ai që ishte veshur me pëlhurë liri dhe të purpurt, dhe të kuq të ndezur, dhe që ishte stolisur me ar dhe gur të çmuar, dhe me margaritarë,
17 sepse në një orë të vetme u shkretua gjithë ajo pasuri'. Dhe çdo timonier, dhe gjithë mizëria mbi anije, dhe detarët, dhe gjithë sa punojnë në det, qëndruan larg,
18 dhe duke shikuar tymin e djegies së saj, nisën të bërtisnin duke thënë: 'Cili është i ngjashëm me qytetin e madh?'.
19 Dhe hodhën pluhur mbi kokat e tyre, dhe bërtisnin duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: 'Mjerë! Mjerë, qyteti i madh, në të cilin u pasuruan prej gjërave të kushtueshme të tij të gjithë ata që kanë anije në det, sepse në një orë të vetme u shkretua'".
20 (Festo mbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë, dhe ju profetë, sepse Perëndia e gjykoi për gjykimin që ju morët prej asaj!)
21 Dhe një engjëll i fortë ngriti një gur të madh si gur mulliri dhe e hodhi në det, duke thënë: "Kështu do të hidhet me vrull Babilonia, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më kurrë!
22 Dhe tingull qestetarësh e muzikantësh, dhe fyelltarësh e trumbetarësh, nuk do të dëgjohet më kurrë në ty; dhe asnjë zejtar i asnjë zejtarie nuk do të gjendet më kurrë në ty; dhe zhurmë mulliri nuk do të dëgjohet më kurrë në ty;
23 dhe dritë kandili nuk do të ndriçojë më kurrë në ty; dhe zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më kurrë në ty; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e tokës, sepse me magjinë tënde u mashtruan të gjitha kombet.
24 Dhe në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe gjaku i të gjithëve atyre që janë therur mbi tokë".
Të gjithë librat
