Zbulesa 16
1 Dhe dëgjova një zë të lartë prej shenjtërores, duke u thënë të shtatë engjëjve: "Shkoni dhe derdhni në tokë taset e tërbimit të Perëndisë".
2 Dhe shkoi i pari dhe e derdhi tasin e tij në tokë, dhe u bë një ulcerë e keqe dhe e ligë te njerëzit që kishin damkën e bishës dhe tek ata që adhuronin figurën e saj.
3 Edhe engjëlli i dytë e derdhi tasin e tij në det dhe ai u bë gjak si i një të vdekuri, dhe çdo qenie e gjallë në det ngordhi.
4 Edhe engjëlli i tretë e derdhi tasin e tij në lumenjtë dhe në burimet e ujërave, dhe u bënë gjak.
5 Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: "I drejtë je, o Zot, ti që je dhe që ishe, dhe që do të jesh, se i gjykove këto gjëra;
6 sepse derdhën gjak shenjtorësh dhe profetësh, edhe ti gjak u dhe atyre për të pirë. Se e meritojnë!".
7 Dhe dëgjova një tjetër prej altarit duke thënë: "Po, o Zot Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tua!".
8 Edhe engjëlli i katërt e derdhi tasin e tij mbi diellin dhe iu dha atij për t'i përzhitur njerëzit me zjarr.
9 Dhe njerëzit u përzhitën nga nxehtësia e madhe përvëluese dhe blasfemuan emrin e Perëndisë, e atij që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan për t'i dhënë atij lavdi.
10 Edhe engjëlli i pestë e derdhi tasin e tij mbi fronin e bishës dhe mbretëria e saj u bë errësirë, dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre prej dhembjes,
11 dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit prej dhembjeve të tyre dhe prej ulcerave të tyre, dhe nuk u penduan për veprat e tyre.
12 Edhe engjëlli i gjashtë e derdhi tasin e tij mbi lumin e madh, Eufratin, dhe uji i tij u tha, me qëllim që të përgatitej rruga e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit.
13 Dhe pashë të dilnin prej gojës së dragoit dhe prej gojës së bishës, dhe prej gojës së profetit të rremë tri frymë të ndyra të ngjashme me bretkosa;
14 njëmend, ato janë frymëra demonësh që bëjnë shenja, të cilat dalin për te mbretërit e tokës dhe të tërë botës së banuar, që t'i mbledhin për luftën e asaj ditës së madhe të Perëndisë, të Gjithëpushtetshmit.
15 (Ja, po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe që mban veshur rrobat e tij, me qëllim që të mos ecë i zhveshur dhe të shohin turpet e tij.)
16 Dhe frymërat i mblodhën ata në vendin që në hebraisht quhet Harmagedon.
17 Edhe engjëlli i shtatë e derdhi tasin e tij në ajër, dhe një zë i lartë doli nga shenjtërorja e qiellit, nga froni, duke thënë: "U bë!".
18 Dhe u bënë zëra dhe bubullima, dhe vetëtima; dhe ra një tërmet i madh, i tillë që nuk ka rënë qëkurse njerëzit u bënë mbi tokë, kaq shumë tërmet i madh ishte.
19 Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë, dhe qytetet e kombeve ranë. Dhe Babilonia e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t'i jepej asaj kupa e verës së tërbimit të zemërimit të tij.
20 Dhe çdo ishull iku, dhe malet nuk u gjetën më.
21 Dhe një breshër i madh, me kokërr sa një peshë talente, ra prej qiellit mbi njerëzit dhe njerëzit blasfemuan Perëndinë prej plagës së breshrit, sepse plaga e tij ishte jashtëzakonisht e madhe.
Të gjithë librat
