Zbulesa 15
1 Dhe pashë në qiell një tjetër shenjë të madhe dhe të mrekullueshme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagë, ato të fundit, sepse në to u përfundua tërbimi i Perëndisë.
2 Dhe pashë diçka si det të qelqtë të përzier me zjarr, si dhe ata që dolën fitues ndaj bishës dhe ndaj figurës së saj, dhe ndaj damkës së saj, dhe ndaj numrit të emrit të saj, duke qëndruar mbi detin e qelqtë dhe duke pasur qeste të Perëndisë.
3 Dhe këndonin këngën e Moisiut, skllavit të Perëndisë, dhe këngën e Qengjit, duke thënë: "Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot Perëndi, i Gjithëpushtetshmi! Të drejta dhe të vërteta janë rrugët e tua, o Mbreti i shenjtorëve!
4 Kush nuk do të të ketë frikë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd?! Se vetëm ti je i shenjtë. Se të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse veprat e tua të drejta u shfaqën".
5 Dhe mbas këtyre gjërave unë pashë, dhe ja, u hap shenjtërorja e tabernakullit të dëshmisë në qiell,
6 dhe dolën prej shenjtërores të shtatë engjëjt që kishin të shtatë plagët, të veshur me li të pastër dhe shkëlqyes, dhe të ngjeshur rreth kraharorëve me breza të artë.
7 Dhe njëra prej të katër gjallesave u dha të shtatë engjëjve shtatë tase të arta të mbushura me tërbimin e Perëndisë, atij që jeton në shekuj të shekujve.
8 Dhe shenjtërorja u mbush me tym prej lavdisë së Perëndisë dhe prej fuqisë së tij; dhe asnjë nuk mund të hynte në shenjtërore, derisa të përfundoheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.
Të gjithë librat
