Zbulesa 14
1 Dhe pashë, dhe ja, një Qengj që qëndronte mbi malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz që kishin emrin e Atit të tij të shkruar mbi ballin e tyre.
2 Dhe dëgjova një zë prej qiellit si gurgullimë ujërash të shumta dhe si gjëmim bubullime të madhe; dhe dëgjova një tingull qestetarësh duke u rënë qesteve të tyre.
3 Dhe ata këndonin një si këngë të re përpara fronit dhe përpara të katër gjallesave dhe pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte këngën, përveç të njëqindedyzetekatërmijëve që janë blerë nga toka.
4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, se janë të virgjër. Këta janë ata që e ndjekin Qengjin kudo që shkon. Këta u blenë nga mesi i njerëzve, si fryt i parë për Perëndinë dhe Qengjin,
5 dhe në gojën e tyre nuk u gjet dredhi, se janë të patëmetë përpara fronit të Perëndisë.
6 Dhe pashë një engjëll tjetër duke fluturuar në mes të qiellit, që kishte një ungjill të përjetshëm për t'ua shpallur si lajm të mirë atyre që banojnë mbi tokë, domethënë çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli.
7 Ai thoshte me zë të lartë: "Kini frikë Perëndinë dhe jepini atij lavdi, sepse erdhi ora e gjykimit të tij; dhe adhuroni atë që bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe burimet e ujërave".
8 Dhe një engjëll tjetër e ndoqi duke thënë: "Ra, ra Babilonia, qyteti i madh, sepse u ka dhënë të pinë të gjitha kombeve prej verës së tërbimit të kurvërisë së saj".
9 Dhe një engjëll i tretë, i ndoqi duke thënë me zë të lartë: "Nëse dikush adhuron bishën dhe figurën e saj, dhe merr damkë mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij,
10 edhe ai vetë do të pijë prej verës së tërbimit të Perëndisë, që është përzier e paholluar në kupën e zemërimit të tij, dhe do të torturohet në zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.
11 Dhe tymi i torturimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve; dhe nuk kanë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj, si dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj".
12 Këtu është qëndresa e shenjtorëve; këtu janë ata që mbajnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit.
13 Dhe dëgjova një zë prej qiellit duke më thënë: "Shkruaj: 'Lum të vdekurit, ata që vdesin në Zotin nga tani e tutje!'". "Po!", thotë Fryma, "që të prehen prej mundimeve të tyre; dhe veprat e tyre i ndjekin pas".
14 Dhe pashë, dhe ja, një re e bardhë dhe mbi renë duke ndenjur ulur një i ngjashëm me një bir njeriu, që kishte mbi kokën e tij një kurorë të artë dhe në dorën e tij një drapër të mprehtë.
15 Dhe një engjëll tjetër doli prej shenjtërores, duke i thirrur me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi renë: "Dërgo draprin tënd dhe korr, se erdhi për ty ora e të korrurit, sepse u poqën të korrat e tokës".
16 Dhe ai që rrinte ulur mbi renë, e hodhi draprin e tij mbi tokë dhe toka u korr.
17 Dhe një engjëll tjetër doli prej shenjtërores që është në qiell, duke pasur edhe ai një drapër të mprehtë.
18 Edhe një engjëll tjetër, që kishte pushtet mbi zjarrin, doli prej altarit dhe i thirri me britmë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë, duke thënë: "Dërgo draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e hardhisë së tokës, sepse u poq rrushi i saj".
19 Dhe engjëlli e hodhi draprin e tij në tokë dhe voli hardhinë e tokës, dhe e hodhi në vençën e madhe të tërbimit të Perëndisë.
20 Dhe vença u shkel jashtë qytetit, dhe prej vençës doli gjak deri te frerët e kuajve për një mijë e gjashtëqind stade.
Të gjithë librat
