Zbulesa 1
1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha atij Perëndia, për t'u treguar skllevërve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Dhe këtë e tregoi qartë, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, skllavit të tij Gjon,
2 i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe gjithë sa pa.
3 Lum ai që lexon dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie, dhe që mbajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.
4 Gjoni, të shtatë kishave që janë në Azi: hir mbi ju dhe paqe nga ai që është dhe që ishte, dhe që po vjen, dhe nga të shtatë frymërat të cilat janë përpara fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej të vdekurve dhe kreu i mbretërve të tokës. Atij që na deshi dhe që na lau nga mëkatet tona me anë të gjakut të tij,
6 dhe na bëri mbretër dhe priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij; atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve! Amen!
7 Ja, ai vjen me retë dhe atë do ta shikojë çdo sy, edhe ata që e shporuan; dhe do të rrahin gjoksin me grushte për atë të gjitha fiset e tokës. Po, amen!
8 "Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi", thotë Zoti, "ai që është dhe që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi".
9 Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj, edhe bashkëpjesëmarrës në mundimin dhe në mbretërinë, dhe në qëndresën e Jezu Krishtit, u ndodha në ishullin që quhet Patmos, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë së Jezu Krishtit.
10 U ndodha në Frymë në ditën e Zotit dhe dëgjova mbrapa meje një zë të fortë si të një trumbete,
11 duke thënë: "Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaje në një libër dhe dërgoja të shtatë kishave që janë në Azi: në Efes dhe në Smirnë, dhe në Pergam, dhe në Tiatirë, dhe në Sard, dhe në Filadelfi, dhe në Laodice".
12 Dhe u ktheva pas për të parë zërin i cili foli me mua. Dhe kur u ktheva pas, pashë shtatë kandilerë të artë
13 dhe në mes të të shtatë kandilerëve një të ngjashëm me një bir njeriu, që kishte veshur një rrobë që i arrinte deri te këmbët dhe që kishte ngjeshur në gjoks një brez të artë.
14 Dhe koka e tij, dhe flokët ishin të bardhë porsi lesh i bardhë, si borë; dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri;
15 dhe këmbët e tij ishin të ngjashme me bronz të kulluar, si të përflakura në furrë; dhe zëri i tij ishte si gurgullimë ujërash të shumta;
16 dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje; dhe prej gojës së tij dilte një shpatë e mprehtë dytehëshe; dhe fytyra e tij ishte si dielli që shndrit me fuqinë e tij.
17 Dhe kur e pashë atë, rashë te këmbët e tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: "Mos u frikëso! Unë jam i pari dhe i fundit,
18 dhe i gjalli; dhe qeshë i vdekur, dhe ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve. Amen! Dhe kam çelësat e Hadesit dhe të vdekjes.
19 Shkruaji ato që pe dhe ato që janë, dhe ato që do të ndodhin mbas këtyre.
20 Sa për misterin e të shtatë yjeve të cilët i pe në të djathtën time dhe të shtatë kandilerëve të artë: të shtatë yjet janë engjëj të të shtatë kishave dhe të shtatë kandilerët të cilët pe, janë shtatë kisha".
Të gjithë librat
