Zbulesa 6
1 Dhe pashë se Qengji hapi të parën prej të shtatë vulave, dhe dëgjova një prej të katër gjallesave, duke thënë si me zë bubullime: "Eja!".
2 Dhe pashë, dhe ja, një kalë i bardhë; dhe ai që kalëronte mbi të, kishte një hark. Dhe iu dha atij një kurorë, dhe ai doli duke fituar, dhe që të fitonte.
3 Dhe kur hapi vulën e dytë, dëgjova gjallesën e dytë duke thënë: "Eja!".
4 Dhe doli një kalë tjetër, i kuq flakë; dhe atij që kalëronte mbi të, iu dha të hiqte paqen prej tokës dhe që njerëzit të thernin njëri-tjetrin. Dhe iu dha atij një shpatë e madhe.
5 Dhe kur hapi vulën e tretë, dëgjova gjallesën e tretë duke thënë: "Eja!". Dhe pashë, dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që kalëronte mbi të, kishte një peshore në dorën e tij.
6 Dhe dëgjova një si zë në mes të katër gjallesave, duke thënë: "Një kenik gruri për një denar dhe tre kenikë elbi për një denar; por vajin dhe verën të mos i dëmtosh".
7 Dhe kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt duke thënë: "Eja!".
8 Dhe pashë, dhe ja, një kalë i gjelbëremë; dhe ai që kalëronte përmbi të, e kishte emrin Vdekja, dhe Hadesi vinte pas me të. Dhe iu dha atij pushtet mbi një të katërtën e tokës, për të vrarë me shpatë dhe me zi buke, dhe me vdekje, dhe përmes bishave të tokës.
9 Dhe kur hapi vulën e pestë, pashë poshtë altarit shpirtrat e atyre që janë therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë së Qengjit, të cilën e kishin.
10 Dhe ata thirrën me zë të lartë, duke thënë: "Deri kur, o Sundimtar i shenjtë dhe i vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë prej atyre që banojnë mbi tokë?".
11 Dhe iu dha secilit prej tyre një petk i bardhë, dhe iu tha atyre që të preheshin ende për pak kohë, derisa të përmbushej numri edhe i bashkëskllevërve dhe vëllezërve të tyre, që do të vriten ashtu si dhe ata.
12 Dhe pashë kur hapi vulën e gjashtë, dhe ra një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si thes prej leshi, dhe tërë hëna u bë si gjak,
13 dhe yjet e qiellit ranë në tokë, ashtu si një fik që hedh fiqtë e vet të paarrirë kur tundet nga një erë e madhe.
14 Dhe qielli u nda si një rrotull që mbështillet, dhe çdo mal e ishull u lëvizën prej vendeve të tyre.
15 Dhe mbretërit e tokës, dhe të mëdhenjtë, dhe komandantët, dhe të pasurit, dhe të fortët, dhe çdo skllav e i lirë u fshehën nëpër shpellat dhe nëpër shkëmbinjtë e maleve;
16 dhe u thoshin maleve dhe shkëmbinjve: "Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri ulur mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij, dhe kush mund të qëndrojë?!".
Të gjithë librat
