Zbulesa 5
1 Dhe pashë në të djathtën e atij që rrinte ulur mbi fron, një rrotull të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fortë duke shpallur me zë të lartë: "Kush është i denjë për ta hapur rrotullën dhe për t'i zgjidhur vulat e saj?".
3 Por asnjë nuk mundej, as në qiell, as mbi tokë, as poshtë tokës, që ta hapte rrotullën, as që ta shihte atë.
4 Dhe unë qaja shumë, sepse nuk u gjet asnjë i denjë për ta hapur rrotullën, as për ta parë atë.
5 Dhe një prej pleqve më tha: "Mos qaj! Ja, Luani prej fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi që të hapë rrotullën dhe të shtatë vulat e saj".
6 Dhe pashë në mes të fronit dhe të katër gjallesave, dhe në mes të pleqve, një Qengj që qëndronte si i therur, që kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, të cilët janë të shtatë frymërat e Perëndisë, që dërgohen në gjithë tokën.
7 Dhe ai erdhi, dhe mori prej së djathtës së atij që rrinte ulur mbi fron.
8 Dhe kur e mori rrotullën, të katër gjallesat dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe tase të arta të mbushura me temjan, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe ata këndonin një këngë të re, duke thënë: "I denjë je për të marrë rrotullën dhe për të hapur vulat e saj, sepse u there dhe me gjakun tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi dhe gjuhe, dhe populli, dhe kombi,
10 dhe i bëre ata mbretër dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojnë mbi tokë".
11 Dhe pashë e dëgjova një si zë shumë engjëjsh përreth fronit dhe gjallesave, dhe pleqve. Dhe numri i tyre ishte dhjetëra mijëra dhjetëra mijërash e mijëra mijërash,
12 duke thënë me zë të lartë: "I denjë është Qengji që është therur, për të marrë fuqinë dhe pasurinë, dhe urtësinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin!".
13 Dhe çdo krijesë që është në qiell dhe mbi tokë, dhe poshtë tokës, dhe që është në det, dhe të gjitha që ndodhen në ta, i dëgjova duke thënë: "Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit u qofshin bekimi dhe nderi, dhe lavdia, dhe pushteti në shekuj të shekujve!".
14 Dhe të katër gjallesat thoshin: "Amen!", dhe pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan.
Të gjithë librat
