Zbulesa 22
1 Dhe më tregoi një lumë uji jete, të kthjellët si kristal, duke buruar prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit,
2 në mes të rrugës së gjerë të qytetit. Dhe këndej e andej lumit ishte një pemë jete, që bën dymbëdhjetë fruta, që jep frutën e saj për secilin muaj; dhe gjethet e pemës janë për shërim të kombeve.
3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe froni i Perëndisë e i Qengjit do të jetë në të, dhe skllevërit e tij do t'i ofrojnë shërbesë atij;
4 dhe ata do të shikojnë fytyrën e tij, dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.
5 Edhe natë nuk do të ketë më dhe nuk do të ketë nevojë për kandil e dritë dielli, sepse Zoti Perëndi do t'i ndriçojë ata; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
6 Dhe më tha: "Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta"; dhe Zoti, Perëndia i frymërave të profetëve, dërgoi engjëllin e tij për t'u treguar skllevërve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti.
7 "Dhe ja, po vij shpejt! Lum ai që mban fjalët e profecisë së këtij libri".
8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që po i dëgjonte dhe po i shihte këto gjëra. Dhe kur i dëgjova dhe i pashë, rashë përmbys për të adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m'i tregoi këto.
9 Por ai më tha: "Shiko se mos e bën! unë jam skllav bashkë me ty dhe vëllezërit e tu, profetët, dhe me ata që mbajnë fjalët e këtij libri. Perëndinë adhuro!".
10 Dhe më tha: "Të mos i vulosësh fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.
11 Ai që bën padrejtësi, të bëjë ende padrejtësi; dhe i fëlliquri të fëlliqet ende; dhe i drejti të ushtrojë ende drejtësi; dhe i shenjti të shenjtërohet ende".
12 Ja, po vij shpejt! Dhe shpërblimi im është me mua, për t'i dhënë secilit ashtu siç do të jetë vepra e tij.
13 Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, fillimi dhe mbarimi".
14 Lum ata që i zbatojnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën e tyre për pemën e jetës dhe që të hyjnë në qytet përmes portave.
15 Jashtë janë qentë dhe magjistarët, dhe kurvarët, dhe vrasësit, dhe idhujtarët, dhe kushdo që do dhe që ushtron gënjeshtër.
16 "Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t'ju dëshmuar juve këto gjëra për kishat. Unë jam rrënja dhe pasardhja e Davidit ylli shkëlqyes mëngjesor".
17 Dhe Fryma, dhe nusja thonë: "Eja!". Edhe ai që dëgjon, të thotë: "Eja!". Dhe ai që ka etje, të vijë; dhe ai që dëshiron, të marrë ujë jete falas.
18 Unë i dëshmoj çdokujt që i dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri: po t'u shtojë dikush këtyre gjërave, Perëndia do t'i shtojë atij plagët që janë shkruar në këtë libër;
19 dhe po të heqë dikush nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do të heqë pjesën e tij nga pema e jetës dhe prej qytetit të shenjtë, gjëra që janë shkruar në këtë libër.
20 Ai që i dëshmon këto gjëra thotë: "Po, po vij shpejt!". Amen! Po, eja, o Zoti Jezus!
21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me të gjithë shenjtorët! Amen!
Të gjithë librat
