Zbulesa 11
1 Dhe m'u dha një kallam i ngjashëm me një shkop, duke më thënë: "Çohu dhe mat shenjtëroren e Perëndisë dhe altarin, dhe numëro ata që adhurojnë në të.
2 Por oborrin që është përjashta shenjtërores, lëre mënjanë dhe të mos e matësh, sepse iu dha kombeve dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.
3 Dhe unë do t'u jap pushtet të dy dëshmitarëve të mi, dhe ata do të profetizojnë për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë".
4 Këta janë dy ullinjtë dhe dy kandilerët që qëndrojnë përpara Zotit të tokës.
5 Dhe nëse dikush dëshiron që t'i dëmtojë, prej gojës së tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Dhe nëse dikush dëshiron që t'i dëmtojë, kështu duhet që të vritet edhe ai vetë.
6 Këta kanë pushtet për ta mbyllur qiellin, që të mos bjerë shi gjatë ditëve të profecisë së tyre, dhe kanë pushtet mbi ujërat për t'i kthyer në gjak dhe për ta goditur tokën me çdo plagë, sa herë që të dëshirojnë.
7 Dhe kur ta përfundojnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet prej Abisit do të bëjë luftë me ta dhe do t'i mundë e do t'i vrasë.
8 Dhe kufomat e tyre do të dergjen në rrugën e gjerë të qytetit të madh, i cili thirret frymërisht Sodomë dhe Egjipt, ku edhe Zoti i tyre u kryqëzua.
9 Dhe ata prej popujve dhe fiseve, dhe gjuhëve, dhe kombeve do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; dhe nuk do të lejojnë që kufomat e tyre të vihen në varr.
10 Dhe ata që banojnë mbi tokë, do të gëzohen për ta dhe do të festojnë, dhe do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse këta dy profetë i torturuan ata që banojnë mbi tokë.
11 Dhe mbas tri ditëve e gjysmë, një frymë jete prej Perëndisë hyri në ta dhe ata qëndruan mbi këmbët e tyre; dhe një frikë e madhe pllakosi mbi ata që i vështronin.
12 Dhe unë dëgjova një zë të lartë prej qiellit, duke u thënë atyre: "Ngjituni këtu!". Dhe ata u ngjitën në qiell, në re, dhe armiqtë e tyre i vështruan.
13 Dhe në atë ditë ra një tërmet i madh, dhe një e dhjeta e qytetit u rrëzua, dhe u vranë në atë tërmet shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.
14 Mjerimi i dytë shkoi; ja, mjerimi i tretë po vjen shpejt.
15 Dhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës dhe u bënë zëra të lartë në qiell, duke thënë: "Mbretëria e botës u bë e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve".
16 Dhe të njëzet e katër pleqtë të cilët rrinë ulur mbi fronet e tyre përpara fronit të Perëndisë, ranë përmbys mbi fytyrat e tyre dhe adhuruan Perëndinë,
17 duke thënë: "Të falënderojmë, o Zot Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, ti që je dhe që ishe, dhe që po vjen, sepse ke marrë fuqinë tënde të madhe dhe mbretërove.
18 Dhe kombet u zemëruan, por erdhi zemërimi yt, dhe koha e kombeve për t'u gjykuar, dhe për t'u dhënë shpërblimin skllevërve të tu, profetëve dhe shenjtorëve, dhe atyre që kanë frikë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe për të shkatërruar ata që shkatërruan tokën".
19 Dhe u hap shenjtërorja e Perëndisë, që ndodhet në qiell, dhe u duk Arka e Besëlidhjes së Zotit në shenjtëroren e tij, dhe u bënë vetëtima dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një breshër i madh.
Të gjithë librat
