Zbulesa 10
1 Dhe pashë një engjëll tjetër të fortë duke zbritur prej qiellit, që ishte i mbështjellë me re, dhe ylberi ishte mbi kokën e tij, dhe fytyra e tij ishte si dielli, dhe këmbët e tij si shtylla zjarri;
2 dhe që kishte në dorën e tij një rrotull të hapur. Dhe e vuri këmbën e tij të djathtë mbi detin, ndërsa të majtën mbi tokën,
3 dhe thirri me zë të lartë sikurse ulërin një luan. Dhe kur ai thirri, të shtatë bubullimat folën me gjëmimet e veta.
4 Dhe kur folën të shtatë bubullimat, isha gati për të shkruar, dhe dëgjova një zë prej qiellit duke thënë: "Vulosi ato që folën të shtatë bubullimat dhe të mos shkruash ato!".
5 Dhe engjëlli të cilin e pashë duke qëndruar mbi detin dhe mbi tokën, ngriti dorën e tij të djathtë drejt qiellit
6 dhe u betua për atë që jeton në shekuj të shekujve, i cili krijoi qiellin dhe ato që janë në të, dhe tokën dhe ato që janë në të, dhe detin dhe ato që janë në të, se nuk do të ketë më vonesë,
7 por në ditët e tingullit të engjëllit të shtatë, kur do t'i bjerë trumbetës, atëherë do të përfundohet misteri i Perëndisë, siç u shpalli lajm të mirë skllevërve të tij, profetëve.
8 Dhe zëri të cilin e dëgjova prej qiellit, foli përsëri me mua dhe më tha: "Shko dhe merre rrotullën e vogël, që është e hapur në dorën e engjëllit që qëndron mbi detin dhe mbi tokën!".
9 Dhe unë shkova tek engjëlli, duke i thënë të më jepte rrotullën e vogël. Dhe ai më tha: "Merre dhe përpije; dhe ajo do të ta hidhërojë barkun, por në gojën tënde do të jetë e ëmbël si mjaltë".
10 Dhe unë e mora rrotullën prej dorës së engjëllit dhe e përpiva; dhe ishte në gojën time si mjaltë i ëmbël, por kur e hëngra, m'u hidhërua barku.
11 Dhe më thanë: "Ti duhet të profetizosh përsëri lidhur me shumë popuj dhe kombe, dhe gjuhëra, dhe mbretër".
Të gjithë librat
