Zbulesa 1
1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha atij Perëndia, për t'u treguar skllevërve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Dhe këtë e tregoi qartë, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, skllavit të tij Gjon,
2 i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, gjithë sa pa.
3 Lum ai që lexon dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie, dhe që mbajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.
4 Gjoni, të shtatë kishave që janë në Azi: hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia që është dhe që ishte, dhe që po vjen, dhe nga të shtatë frymërat të cilat janë përpara fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri i të vdekurve dhe kreu i mbretërve të tokës. Atij që na do dhe që na lau nga mëkatet tona me anë të gjakut të tij,
6 dhe na bëri një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij; atij i qoftë i lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve! Amen!
7 Ja, ai vjen me retë dhe atë do ta shikojë çdo sy, edhe ata që e shporuan; dhe do të rrahin gjoksin me grushte për atë të gjitha fiset e tokës. Po, amen!
8 "Unë jam Alfa dhe Omega", thotë Zoti Perëndi, "ai që është dhe që ishte, dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi".
9 Unë, Gjoni, vëllai juaj dhe bashkëpjesëmarrës në mundimin dhe mbretërinë, dhe qëndresën në Jezu Krishtin, u ndodha në ishullin që quhet Patmos, për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë së Jezu Krishtit.
10 U ndodha në Frymë në ditën e Zotit dhe dëgjova mbrapa meje një zë të fortë si të një trumbete,
11 duke thënë: çfarë sheh, shkruaje në një libër dhe dërgoja të shtatë kishave janë në Efes dhe në Smirnë, dhe në Pergam, dhe në Tiatirë, dhe në Sard, dhe në Filadelfi, dhe në Laodice".
12 Dhe atje u ktheva pas për të parë zërin i cili fliste me mua. Dhe kur u ktheva pas, pashë shtatë kandilerë të artë
13 dhe në mes të të shtatë kandilerëve një të ngjashëm me një bir njeriu, që kishte veshur një rrobë që i arrinte deri te këmbët dhe që kishte ngjeshur në gjoks një brez të artë.
14 Dhe koka e tij, dhe flokët ishin të bardhë si lesh i bardhë, si borë; dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri;
15 dhe këmbët e tij ishin të ngjashme me bronz të kulluar, si të përflakura në furrë; dhe zëri i tij ishte si gurgullimë ujërash të shumta;
16 dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje; dhe prej gojës së tij dilte një shpatë e mprehtë dytehëshe; dhe fytyra e tij ishte si dielli që shndrit me fuqinë e tij.
17 Dhe kur e pashë atë, rashë te këmbët e tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke thënë: "Mos u frikëso! Unë jam i pari dhe i fundit,
18 dhe i gjalli; dhe qeshë i vdekur, dhe ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve. Dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit.
19 Shkruaji, pra, ato që pe dhe ato që janë, dhe ato që do të ndodhin mbas këtyre.
20 Sa për misterin e të shtatë yjeve të cilët i pe në të djathtën time dhe të shtatë kandilerëve të artë: të shtatë yjet janë engjëj të të shtatë kishave dhe të shtatë kandilerët janë shtatë kisha".
Të gjithë librat
