Zbulesa 9
1 Dhe engjëlli i pestë i ra trumbetës dhe pashë një yll që kishte rënë prej qiellit në tokë; dhe iu dha atij çelësi i pusit të Abisit.
2 Dhe ai e hapi pusin e Abisit, dhe u ngjit tym prej pusit, si tymi i një furre të madhe, dhe dielli e ajri u errësuan prej tymit të pusit.
3 Dhe prej tymit dolën karkaleca në tokë, dhe iu dha atyre pushtet, siç kanë pushtet akrepat e tokës.
4 Dhe iu tha atyre që të mos dëmtonin barin e tokës dhe as ndonjë bimë të gjelbër, dhe as ndonjë pemë, por veç njerëzit të cilët nuk e kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.
5 Dhe nuk iu lejua atyre që t'i vrisnin këta, por që të torturoheshin për pesë muaj; dhe tortura e tyre ishte si torturë akrepi kur pickon një njeri.
6 Dhe në ato ditë njerëzit do ta kërkojnë vdekjen dhe nuk do ta gjejnë fare; madje do të dëshirojnë të vdesin dhe vdekja ikën nga ata.
7 Dhe pamja e karkalecave ishte e ngjashme me kuaj që janë përgatitur për luftë, dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora të ngjashme me arin, dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.
8 Dhe kishin flokë si flokë grash, dhe dhëmbët e tyre ishin si të luanëve.
9 Dhe kishin parzmore si parzmore të hekurta, dhe zhurma e krahëve të tyre ishte si zhurmë karrocash me shumë kuaj që vrapojnë për në luftë.
10 Dhe kishin bishta të ngjashëm me akrepa dhe thumba; dhe në bishtat e tyre gjendej pushteti i tyre për të dëmtuar njerëzit për pesë muaj.
11 Kishin për mbret mbi ta engjëllin e Abisit; emri i tij në hebraisht është Abadon, dhe në greqisht emrin e ka Apolion.
12 Mjerim i parë shkoi; ja, po vijnë ende dy mjerime mbas këtyre gjërave.
13 Dhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës dhe unë dëgjova një zë prej brirëve të altarit të artë, që është përpara Perëndisë,
14 duke i thënë engjëllit të gjashtë, atij që kishte trumbetën: "Zgjidhi të katër engjëjt që janë lidhur te lumi i madh Eufrat".
15 Dhe u zgjidhën të katër engjëjt që janë përgatitur për orën dhe ditën, dhe muajin, dhe vitin, me qëllim që të vrisnin një të tretën e njerëzve.
16 Dhe numri i trupave të kalorësisë ishte dyqind milionë; e dëgjova numrin e tyre.
17 Dhe unë i pashë kështu në vegim kuajt dhe ata që kalëronin mbi ta: kishin parzmore të kuqe zjarri dhe blu hiacinti, dhe të verdhë squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh; dhe prej gojëve të tyre dilte zjarr dhe tym, dhe squfur.
18 Nga këto tri plagë, pra prej zjarrit dhe tymit, dhe squfurit që dilte prej gojëve të tyre, u vranë një e treta e njerëzve.
19 Se pushteti i kuajve ishte në gojën e tyre dhe në bishtat e tyre, sepse bishtat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, ngaqë kishin koka dhe me to dëmtonin.
20 Dhe pjesa tjetër e njerëzve, të cilët nuk u vranë me këto plagë, madje as nuk u penduan për veprat e duarve të tyre, që të mos adhuronin demonët dhe idhujt e artë dhe të argjendtë, dhe të bronztë, dhe të gurtë, dhe të drunjtë, të cilët nuk munden as të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin.
21 Dhe nuk u penduan për vrasjet e tyre, as për magjitë e tyre, as për kurvërinë e tyre, as për vjedhjet e tyre.
Të gjithë librat
