Zbulesa 8
1 Dhe kur hapi vulën e shtatë, u bë heshtje në qiell për rreth gjysmë ore.
2 Dhe pashë të shtatë engjëjt të cilët qëndrojnë përpara Perëndisë, dhe iu dhanë atyre shtatë trumbeta.
3 Erdhi edhe një engjëll tjetër dhe qëndroi tek altari, duke pasur një temjanicë të artë; dhe iu dha atij shumë temjan, që ta ofronte bashkë me lutjet e gjithë shenjtorëve mbi altarin e artë që është përpara fronit.
4 Dhe tymi i temjanit, bashkë me lutjet e shenjtorëve, u ngjit prej dorës së engjëllit përpara Perëndisë.
5 Dhe engjëlli mori temjanicën dhe e mbushi prej zjarrit të altarit, dhe e hodhi mbi tokë; dhe u bënë bubullima dhe zëra, dhe vetëtima, dhe një tërmet.
6 Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë trumbetat, u përgatitën që të trumbetonin.
7 Dhe i pari i ra trumbetës dhe u bë breshër e zjarr i përzier me gjak, dhe u hodh në tokë; dhe një e treta e tokës u dogj krejt, dhe një e treta e pemëve u dogj krejt, dhe çdo bar i gjelbër u dogj krejt.
8 Dhe engjëlli i dytë i ra trumbetës, dhe diçka si mal i madh që digjej me zjarr, u hodh në det; dhe një e treta e detit u bë gjak,
9 dhe ngordhi një e treta e krijesave që ishin në det – nga ato që kanë jetë – dhe një e treta e anijeve u shkatërruan.
10 Dhe engjëlli i tretë i ra trumbetës dhe ra prej qiellit një yll i madh që digjej si pishtar; dhe ra mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
11 Dhe emri i yllit është Pelin; dhe u bë një e treta e ujërave pelin, dhe shumë prej njerëzve vdiqën prej ujërave, sepse u bënë të hidhura.
12 Dhe engjëlli i katërt i ra trumbetës dhe u godit një e treta e diellit dhe një e treta e hënës, dhe një e treta e yjeve, që kështu të errësohej një e treta e tyre dhe dita të mos ndriçonte në një të tretën e saj, edhe nata po ashtu.
13 Dhe pashë, dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit, duke thënë me zë të lartë: "Mjerë, mjerë, mjerë ata që banojnë mbi tokë, për shkak të buçimave të tjera të trumbetës së të tre engjëjve që do të trumbetojnë".
Të gjithë librat
