Zbulesa 3
1 "Dhe engjëllit të kishës në Sard shkruaji: Këto thotë ai që ka të shtatë frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet: I di veprat e tua, që ke emër se jeton, por je i vdekur.
2 Rri zgjuar dhe forco ato që kanë mbetur, të cilat ishin gati për të vdekur, sepse nuk i kam gjetur veprat e tua të përmbushura përpara Perëndisë tim.
3 Kujto, pra, çfarë more dhe dëgjove, dhe mbaje e pendohu. Prandaj, po të mos rrish zgjuar, do të vij si vjedhës dhe ti nuk do ta marrësh vesh fare në çfarë ore do të vij kundër teje.
4 Por ke pak emra në Sard, të cilët nuk i përlyen rrobat e tyre, dhe ata do të ecin me mua veshur në të bardha, sepse janë të denjë.
5 Ai që fiton, kështu do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij aspak emrin e tij prej librit të jetës, dhe do ta rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe përpara engjëjve të tij.
6 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave".
7 "Dhe engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: Këto thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe asnjë nuk do të mbyllë, dhe që mbyll e asnjë nuk hap:
8 I di veprat e tua. Ja, kam vënë përpara teje një derë të hapur, të cilën asnjë nuk mund ta mbyllë; sepse ti ke pak fuqi dhe e ruajte fjalën time, dhe nuk e mohove emrin tim.
9 Ja, po i jap disa prej sinagogës së Satanit, ata që thonë për veten e tyre se janë judenj dhe nuk janë, por gënjejnë. Ja, do t'i bëj ata që të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe ta marrin vesh se unë të desha.
10 Ngaqë e ruajte fjalën e qëndrueshmërisë sime, edhe unë do të të ruaj prej orës së sprovës që do të vijë mbi tërë botën e banuar, për të sprovuar ata që banojnë mbi tokë.
11 Po vij shpejt! Mbaje fort çfarë ke, me qëllim që asnjë të mos e marrë kurorën tënde.
12 Atë që fiton, do ta bëj shtyllë në shenjtëroren e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë më kurrë jashtë; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im, si dhe emrin tim të ri.
13 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave".
14 "Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: Këto thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijimit të Perëndisë:
15 I di veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë, as i nxehtë. Oh sikur të ishe i ftohtë ose i nxehtë!
16 Kështu, ngaqë je i vakët dhe nuk je as i ftohtë, as i nxehtë, do të të vjell prej gojës sime.
17 Sepse ti thua: 'Jam i pasur dhe jam pasuruar, dhe për asgjë nuk kam nevojë'; dhe nuk e di se ti je i mjerë dhe i gjorë, dhe i varfër, dhe i verbër, dhe lakuriq.
18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të pastruar prej zjarrit, që të pasurohesh; dhe rroba të bardha, që të vishesh e të mos shfaqet turpi i lakuriqësisë sate; dhe melhem për të lyer sytë e tu, që të shohësh.
19 Unë të gjithë ata që i dua, i qortoj dhe i ndëshkoj. Ji i zellshëm, pra, dhe pendohu!
20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; po ta dëgjojë kush zërin tim dhe të hapë derën, do të hyj tek ai dhe do të darkoj me të, dhe ai me mua.
21 Atij që fiton, do t'i jap të ulet me mua në fronin tim, siç edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.
22 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave".
Të gjithë librat
