Zbulesa 2
1 "Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: Këto thotë ai që mban fort të shtatë yjet në të djathtën e tij, ai që ecën në mes të shtatë kandilerëve të artë:
2 I di veprat e tua dhe mundin, dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe se nuk mund t'i durosh të këqijtë; madje i sprovove ata që e quajnë veten e tyre apostuj dhe nuk janë, dhe i gjete gënjeshtarë;
3 dhe ke qëndrueshmëri, dhe durove për hir të emrit tim, dhe nuk je lodhur.
4 Por kam kundër teje këtë: që dashurinë tënde të parë e le.
5 Kujtohu, pra, nga ku ke rënë dhe pendohu, dhe bëj veprat e para. Përndryshe do të vij te ti dhe do ta lëviz kandilerin tënd prej vendit të tij, po të mos pendohesh.
6 Por ti ke këtë: që i urren veprat e nikolaitëve, të cilat edhe unë i urrej.
7 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Atij që fiton, do t'i jap për të ngrënë prej pemës së jetës, e cila është në Parajsën e Perëndisë".
8 "Dhe engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: Këto thotë i pari dhe i fundit, i cili qe i vdekur dhe u kthye në jetë:
9 E di mundimin dhe varfërinë tënde (por je i pasur), dhe fyerjen e pësuar prej atyre që thonë për veten e tyre se janë judenj dhe nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.
10 Mos u frikëso aspak nga ato që do të vuash. Ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, me qëllim që të sprovoheni, dhe do të keni mundim për dhjetë ditë. Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.
11 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Ai që fiton, nuk do të dëmtohet fare prej vdekjes së dytë".
12 "Dhe engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: Këto thotë ai që ka shpatën e mprehtë dytehëshe:
13 E di ku banon, aty ku është froni i Satanit; dhe ti e mban fort emrin tim, dhe nuk e mohove besimin tim edhe në ditët kur jetoi Antipa, dëshmitari im, besniku im, i cili u vra mes jush, aty ku banon Satani.
14 Por kam pak gjëra kundër teje: që ke atje disa që mbajnë fort mësimin e Balaamit, i cili e mësonte Balakun të vendoste shkandull përpara bijve të Izraelit, që të hanin flijime idhujsh dhe të kurvëronin.
15 Kështu ke edhe ti, në mënyrë të ngjashme, disa që mbajnë fort mësimin e nikolaitëve.
16 Pendohu, pra! Përndryshe do të vij te ti shpejt dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime.
17 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave. Atij që fiton, do t'i jap nga mana e fshehur; dhe do t'i jap një guralec të bardhë, dhe mbi guralecin është shkruar një emër i ri, të cilin askush nuk e di, përveç atij që e merr".
18 "Dhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë e tij si flakë zjarri dhe këmbët e tij të ngjashme me bronz të kulluar:
19 I di veprat e tua dhe dashurinë, dhe besimin, dhe shërbimin, dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe se veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Por kam kundër teje këtë: që e lejon gruan Jezabel, atë që e quan veten profeteshë, dhe ajo mëson e mashtron skllevërit e mi që të kurvërojnë dhe të hanë flijime idhujsh.
21 Dhe unë i dhashë asaj kohë që të pendohet, dhe ajo nuk dëshiron të pendohet prej kurvërisë së saj.
22 Ja, po e flak atë në një shtrat lëngimi, dhe ata që bëjnë kurorëshkelje me të, në mundim të madh, po të mos pendohen prej veprave të saj.
23 Dhe fëmijët e saj do t'i vras me vdekje, dhe të gjitha kishat do të marrin vesh se unë jam ai që heton veshkat dhe zemrat; dhe do t'ju jap secilit nga ju sipas veprave tuaja.
24 Por po ju them juve të tjerëve që jeni në Tiatirë, gjithë sa nuk e kanë këtë mësim, të cilët nuk i njohën 'të thellat e Satanit', siç i thonë: nuk po vë mbi ju tjetër barrë.
25 Veçse, atë që keni, mbajeni fort derisa të vij.
26 Dhe atij që fiton, dhe atij që i mban deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet
27 "dhe do t'i baritojë ato me shkop të hekurt, siç thyhen enët prej argjile",
28 ashtu si edhe unë kam marrë pushtet nga Ati im; dhe do t'i jap atij yllin mëngjesor.
29 Ai që ka veshë, të dëgjojë çfarë Fryma u thotë kishave".
Të gjithë librat
