Zbulesa 17
1 Dhe erdhi një prej të shtatë engjëjve që kishin të shtatë taset, dhe foli me mua duke thënë: "Eja, do të të tregoj gjykimin e kurvës së madhe, që rri ulur mbi shumë ujëra,
2 me të cilën kurvëruan mbretërit e tokës dhe u dehën prej verës së kurvërisë së saj ata që banojnë tokën".
3 Dhe ai më çoi në shkretëtirë në Frymë, dhe pashë një grua duke ndenjur ulur mbi një bishë të kuqe të ndezur, që ishte e mbushur me emra blasfemie dhe që kishte shtatë koka e dhjetë brirë.
4 Dhe gruaja ishte e veshur me të purpurt dhe të kuq të ndezur, dhe ishte e stolisur me ar dhe me gur të çmuar, dhe margaritarë; në dorën e saj kishte një kupë të artë, që ishte e mbushur me neveri dhe me papastërtitë e kurvërisë së saj,
5 dhe mbi ballin e saj ishte i shkruar një emër, një mister: "Babilonia e Madhe, nëna e kurvave dhe e neverive të tokës".
6 Dhe pashë gruan duke u dehur prej gjakut të shenjtorëve dhe prej gjakut të dëshmitarëve të Jezusit. Dhe u habita tej mase duke e parë.
7 Dhe engjëlli më tha: "Përse u habite? Unë do të të them misterin e gruas dhe të bishës që e mbart atë, të asaj që ka të shtatë kokat dhe të dhjetë brirët.
8 Bisha të cilën e pe, ishte dhe nuk është më, dhe do të ngjitet prej Abisit e shkon në shkatërrim. Dhe ata që banojnë mbi tokë, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga themelimi i botës, do të habiten ndërsa shohin bishën, që ajo ishte dhe nuk është më, dhe do të jetë e pranishme.
9 Këtu është mendja që ka urtësi: të shtatë kokat janë shtatë male, ku gruaja rri ulur mbi to; dhe mbretër janë shtatë:
10 pesë kanë rënë, njëri është, tjetri ende nuk ka ardhur; dhe kur të ketë ardhur, ai duhet të rrijë për pak.
11 Dhe bisha e cila ishte dhe nuk është më, është edhe ai vetë një mbret i tetë dhe është prej të shtatëve, dhe shkon në shkatërrim.
12 Dhe të dhjetë brirët të cilët i pe, janë dhjetë mbretër të cilët ende nuk kanë marrë mbretërim, por do të marrin pushtet si mbretër për një orë bashkë me bishën.
13 Këta kanë një qëllim të vetëm dhe fuqinë e pushtetin e tyre ia japin bishës.
14 Këta do të luftojnë me Qengjin dhe Qengji do t'i mundë ata, sepse është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të, janë të thirrur dhe të zgjedhur, dhe besnikë".
15 Dhe më tha: "Ujërat që i pe, ku rri ulur kurva, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhëra.
16 Dhe të dhjetë brirët që i pe, dhe bisha, këta do ta urrejnë kurvën dhe do ta bëjnë të shkretuar dhe të zhveshur, dhe do të hanë mishrat e saj, dhe do ta djegin krejt në zjarr.
17 Se Perëndia u dha në zemrat e tyre që të bëjnë qëllimin e tij: edhe që të bëjnë qëllimin e tyre të vetëm, edhe që t'ia japin mbretërimin e tyre bishës, derisa të përmbushen fjalët e Perëndisë.
18 Dhe gruaja të cilën e pe, është qyteti i madh, ai që ka mbretërim mbi mbretërit e tokës".
Të gjithë librat
