Zbulesa 13
1 Dhe pashë një bishë duke u ngjitur prej detit, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë koka, dhe mbi brirët e saj dhjetë diadema, dhe mbi kokat e saj një emër blasfemie.
2 Dhe bisha që pashë, ishte e ngjashme me një leopard dhe këmbët e saj ishin si të një ariu, dhe goja e saj ishte si gojë luani. Dhe dragoi i dha asaj fuqinë e tij dhe fronin e tij, si dhe pushtet të madh.
3 Dhe një prej kokave të saj ishte si e therur për vdekje, por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe tërë toka u mrekullua mbas bishës.
4 Dhe adhuruan dragoin, sepse i dha pushtetin bishës; dhe adhuruan bishën, duke thënë: "Kush është i ngjashëm me bishën dhe kush mund të luftojë me të?".
5 Dhe iu dha asaj një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha asaj pushtet për të vepruar për dyzet e dy muaj.
6 Dhe ajo hapi gojën e saj për blasfemi kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij dhe tabernakullin e tij, domethënë ata që banojnë në qiell.
7 Dhe iu dha asaj që të bëjë luftë me shenjtorët, dhe që t'i mundë ata; dhe iu dha asaj pushtet mbi çdo fis dhe popull, dhe gjuhë, dhe komb.
8 Dhe do ta adhurojnë atë të gjithë ata që banojnë mbi tokë, emri i të cilëve nuk është shkruar që nga themelimi i botës në librin e jetës të Qengjit që është therur.
9 Nëse dikush ka veshë, të dëgjojë!
10 Nëse dikush është për robëri, atje shkon; nëse dikush do të vrasë me shpatë, edhe ai duhet të vritet me shpatë. Këtu është qëndresa dhe besimi i shenjtorëve.
11 Dhe pashë një bishë tjetër duke u ngjitur prej tokës, dhe kishte dy brirë të ngjashëm me brirë qengji, dhe fliste si dragua.
12 Dhe ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë në praninë e saj, dhe e bënte tokën dhe ata që banojnë në të, që ta adhuronin bishën e parë, së cilës i ishte shëruar plaga e saj vdekjeprurëse.
13 Dhe bënte shenja të mëdha, aq sa të bënte që të zbriste edhe zjarr prej qiellit në tokë përpara njerëzve.
14 Dhe ajo mashtronte ata që banojnë mbi tokë, për shkak të shenjave të cilat iu dhanë asaj për të bërë në praninë e bishës, duke u thënë atyre që banojnë mbi tokë që t'i bëjnë një figurë bishës, i cili kishte plagën e shpatës dhe jetoi.
15 Dhe iu dha asaj për t'i dhënë frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës edhe të fliste, edhe të bënte të vriteshin gjithë sa nuk do ta adhuronin figurën e bishës.
16 Dhe i bëri të gjithë, të vegjlit dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe të varfrit, dhe të lirët, dhe skllevërit, që t'u jepej atyre një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,
17 dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, përveç atij që ka damkën, domethënë emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.
18 Këtu është urtësia: ai që ka mend, ta llogarisë numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
Të gjithë librat
