Zanafilla 9
1 Dhe Perëndia bekoi Noeun dhe bijtë e tij, dhe u tha atyre: "Jini të frytshëm dhe shumohuni, dhe mbushni tokën!
2 Dhe frika ndaj jush e lemeria ndaj jush, do të jenë mbi çdo bishë të tokës dhe mbi çdo shpend të qiejve, në çdo gjë që zvarritet mbi dheun, dhe në çdo peshk të detit; ato janë dhënë në dorën tuaj.
3 Çdo zvarritës që është i gjallë, do të jetë për ju si ushqim, dhe siç kam dhënë bimësinë e gjelbër, po ju jap juve gjithçka.
4 Veçse mishin me jetën e tij, domethënë me gjakun e tij, nuk do ta hani.
5 Dhe sigurisht, unë do ta kërkoj gjakun e jetëve tuaja: nga dora e çdo gjallese do ta kërkoj atë dhe nga dora e njeriut; nga dora e çdo vëllai të tij do ta kërkoj jetën e njeriut.
6 Ai që derdh gjakun e njeriut, nga njeriu do të derdhet gjaku i tij, sepse në shëmbëllimin e Perëndisë e ka bërë ai njeriun.
7 Por ju, jini të frytshëm dhe shumohuni, gëloni mbi tokë dhe shumohuni në të!".
8 Dhe Perëndia i foli Noeut dhe bijve të tij bashkë me të, duke thënë:
9 "Dhe unë, ja, unë po e caktoj besëlidhjen time me ju dhe me pasardhjen tuaj mbas jush,
10 dhe me çdo qenie të gjallë e cila është me ju: me fluturakun, me bagëtinë dhe me çdo bishë të tokës që është me ju, me çfarëdo që del nga arka, prej çfarëdo gjallese të tokës.
11 Dhe unë e caktoj besëlidhjen time me ju, dhe asnjë mish nuk do të zhbihet më prej ujërave të përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën".
12 Dhe Perëndia tha: "Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po bëj ndërmjet meje dhe jush, dhe çdo qenieje të gjallë e cila është me ju, për gjithë brezat e mëtejshëm.
13 E kam vënë harkun tim në renë dhe ai do të jetë si shenjë besëlidhjeje ndërmjet meje dhe tokës.
14 Dhe do të ndodhë që, kur unë të bëj të shfaqet një re mbi tokë, do të duket harku në renë,
15 dhe unë do të kujtoj besëlidhjen time që bëra ndërmjet meje dhe jush, dhe çdo qenieje të gjallë të çdo mishi, dhe ujërat nuk do të bëhen më si përmbytje, për të shkatërruar çdo mish.
16 Kështu, harku do të jetë në renë dhe unë do ta shoh atë, që të kujtoj besëlidhjen e përjetshme ndërmjet Perëndisë dhe çdo qenieje të gjallë të çdo mishi i cili ndodhet mbi tokë".
17 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Kjo është shenja e besëlidhjes që kam caktuar ndërmjet meje dhe çdo mishi i cili ndodhet mbi tokë".
18 Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka ishin Semi dhe Kami, dhe Jafeti. (Tani, Kami qe ati i Kanaanit).
19 Të tre këta ishin bijtë e Noeut dhe prej këtyre u shpërnda e gjithë popullsia e tokës.
20 Tani, Noeu filloi të jetë bujk dhe mbolli një vresht.
21 Dhe ai piu nga vera dhe u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij.
22 Dhe Kami, ati i Kanaanit, pa lakuriqësinë e atit të tij dhe ua tregoi të dy vëllezërve të tij që ndodheshin përjashta.
23 Atëherë Semi dhe Jafeti morën mantelin dhe e vunë mbi supet e tyre, dhe ecën mbrapsht, dhe e mbuluan lakuriqësinë e atit të tyre. Tani, fytyrat e tyre ishin të kthyera mbrapa dhe ata nuk e panë lakuriqësinë e atit të tyre.
24 Atëherë Noeu u zgjua nga dehja e tij dhe mori vesh atë që i kishte bërë atij biri i tij më i vogël.
25 Dhe tha: "Mallkuar qoftë Kanaani! Skllav i skllevërve do të jetë për vëllezërit e tij!".
26 Pastaj tha: "Bekuar qoftë Jahveh-u, Perëndia i Semit, dhe Kanaani qoftë skllavi i tij!
27 Perëndia i dhëntë hapësirë Jafetit dhe ai banoftë në çadrat e Semit, dhe Kanaani qoftë skllavi i tij!".
28 Dhe Noeu, mbas përmbytjes, jetoi treqind e pesëdhjetë vjet.
29 Kështu, të gjitha ditët e Noeut ishin nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq.
Të gjithë librat
