Zanafilla 8
1 Dhe Perëndia e kujtoi Noeun dhe të gjitha bishat, dhe gjithë bagëtinë që ishin me të në arkë. Dhe Perëndia bëri të kalojë një erë mbi tokë, dhe ujërat u ulën.
2 Edhe burimet e thellësisë dhe kanatet e qiejve u mbyllën, dhe shiu nga qiejt pushoi;
3 dhe ujërat u tërhoqën nga toka pak nga pak, dhe nga fundi i njëqind e pesëdhjetë ditëve ujërat u pakësuan.
4 Dhe në muajin e shtatë, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka pushoi mbi malet e Araratit.
5 Dhe deri në muajin e dhjetë, ujërat sa vinin e pakësoheshin. Në muajin e dhjetë, në ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.
6 Dhe ndodhi që, në fund të dyzet ditëve, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë
7 dhe dërgoi një korb. Dhe ky doli duke shkuar e duke ardhur derisa u thanë ujërat përsipër tokës.
8 Pastaj Noeu dërgoi një pëllumb nga vetja për të parë a ishin pakësuar ujërat nga faqja e dheut.
9 Por pëllumbi nuk gjeti vend prehjeje për shputën e këmbës së tij dhe u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat ishin ende mbi sipërfaqen e gjithë tokës. Atëherë Noeu zgjati dorën e tij dhe e mori, dhe e solli atë te vetja në arkë.
10 Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera dhe përsëri e dërgoi pëllumbin nga arka.
11 Dhe pëllumbi erdhi tek ai në kohë mbrëmjeje, dhe ja, një gjethe ulliri të sapokëputur ishte në sqepin e tij. Atëherë Noeu e kuptoi që ujërat ishin pakësuar përsipër tokës.
12 Pastaj ndenji në pritje edhe shtatë ditë të tjera dhe e dërgoi pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai.
13 Dhe ndodhi që, në vitin e gjashtëqind e njëtë, në muajin e parë, në ditën e parë të muajit, shterën ujërat përsipër tokës. Atëherë Noeu hoqi mbulesën e arkës dhe pa; dhe ja, sipërfaqja e dheut ishte terur.
14 Dhe në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të muajit, toka ishte tharë.
15 Dhe Perëndia i foli Noeut, duke thënë:
16 "Dil nga arka ti dhe gruaja jote, dhe bijtë e tu, dhe gratë e bijve të tu që janë me ty!
17 Nxirr bashkë me ty të gjitha gjallesat që janë me ty prej çdo mishi, nga shpendët dhe nga bagëtia, dhe nga çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë, që të gëlojnë mbi tokë dhe të jenë të frytshëm, dhe të shumohen mbi tokë!".
18 Dhe doli Noeu dhe bijtë e tij, dhe gruaja e tij, dhe gratë e bijve të tij bashkë me të.
19 Çdo bishë, çdo zvarranik dhe çdo shpend, çdo gjë që lëviz mbi tokë, dolën nga arka sipas familjeve të tyre.
20 Dhe Noeu ndërtoi një altar për Jahveh-un, dhe mori nga çdo kafshë e pastër dhe nga çdo shpend i pastër, dhe ofroi flijime shkrumbimi mbi altarin.
21 Dhe Jahveh-u nuhati aromën e këndshme, dhe Jahveh-u tha në zemrën e tij: "Nuk do ta mallkoj më dheun për shkak të njeriut, sepse synimi i zemrës së njeriut është i keq që nga rinia e tij, dhe nuk do ta godas më çdo gjallesë, ashtu siç kam bërë.
22 Për sa të jenë të gjitha ditët e tokës, mbjellja dhe korrja, dhe të ftohtit e të nxehtit, dhe vera e dimri, dhe dita e nata, nuk do të reshtin".
Të gjithë librat
