Zanafilla 7
1 Dhe Jahveh-u i tha Noeut: "Hyr në arkë ti dhe gjithë shtëpia jote, sepse ty të kam parë që je i drejtë përpara meje në këtë brez.
2 Nga çdo kafshë e pastër do të marrësh me vete shtatë çifte, një mashkull dhe femrën e tij; por nga kafsha që nuk është e pastër, vetëm dy, një mashkull dhe femrën e tij.
3 Gjithashtu nga shpendët e qiejve do të marrësh shtatë çifte, një mashkull dhe një femër, për të mbajtur gjallë farën e tyre mbi faqen e gjithë tokës.
4 Se mbas edhe shtatë ditësh unë do të bëj të bjerë shi mbi tokën për dyzet ditë dhe dyzet net dhe do të fshij nga faqja e dheut çdo gjë të gjallë që kam bërë".
5 Dhe Noeu bëri sipas gjithë asaj që e kishte urdhëruar Jahveh-u.
6 Tani, Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur ndodhi përmbytja me ujëra mbi tokë.
7 Dhe Noeu hyri në arkë, dhe bijtë e tij, dhe gruaja e tij, dhe gratë e bijve të tij bashkë me të, për shkak të ujërave të përmbytjes.
8 Nga kafshët e pastra dhe nga kafshët që nuk janë të pastra, dhe nga fluturakët, dhe nga çdo gjë e cila zvarritet mbi dhe,
9 erdhën dy nga dy te Noeu në arkë, mashkull dhe femër, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia Noeun.
10 Dhe ndodhi që mbas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes erdhën mbi tokë.
11 Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë u çanë të gjitha burimet e thellësisë së madhe dhe kanatet e qiejve u hapën.
12 Dhe shiu erdhi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net.
13 Në po atë ditë hyri Noeu në arkë, dhe Semi, dhe Kami, dhe Jafeti, bijtë e Noeut, dhe gruaja e Noeut, dhe tri gratë e bijve të tij bashkë me ta,
14 ata vetë dhe çdo bishë sipas llojit të saj, dhe çdo bagëti sipas llojit të saj, dhe çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të tij, dhe çdo fluturak sipas llojit të tij, çdo zog me flatra.
15 Dhe erdhën te Noeu në arkë dy nga dy, prej çdo mishi që ka në të frymë jete.
16 Dhe ata që hynë, mashkull dhe femër nga çdo mish, hynë ashtu siç e kishte urdhëruar atë Perëndia; dhe Jahveh-u e mbylli derën mbrapa tij.
17 Dhe përmbytja erdhi mbi tokë për dyzet ditë, dhe ujërat u shumuan dhe e ngritën arkën, dhe ajo u çua lart përsipër tokës.
18 Dhe ujërat u rritën dhe u shumuan së tepërmi mbi tokë, dhe arka notoi mbi sipërfaqen e ujërave.
19 Dhe ujërat u rritën gjithnjë e më tepër mbi tokë, dhe u mbuluan të gjitha malet e larta që ndodheshin poshtë të gjithë qiejve.
20 Pesëmbëdhjetë kubitë u rritën ujërat përsipër maleve dhe ato u mbuluan.
21 Dhe vdiq çdo mish që lëvizte mbi tokë: me fluturakë dhe me bagëti, dhe me bisha, dhe me çdo gjë gëluese që gëlonte mbi tokë, si dhe gjithë njerëzimi.
22 Çdo gjë që kishte hukamën e frymës së jetës në flegrat e hundës, prej çdo gjëje që ishte mbi tokën e thatë, vdiq.
23 Dhe Perëndia fshiu çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtia, deri te zvarraniku dhe deri te shpendi i qiejve; dhe ata u fshinë nga toka. Dhe mbeti vetëm Noeu dhe ata që ishin me të në arkë.
24 Dhe ujërat qëndruan të rritura mbi tokë për njëqind e pesëdhjetë ditë.
Të gjithë librat
