Zanafilla 6
1 Dhe ndodhi që, kur njeriu filloi të shumohet mbi faqen e dheut, atyre u lindën bija.
2 Dhe bijtë e Perëndisë panë bijat e njeriut se ato ishin të pashme, dhe ata morën për vete gra nga të gjitha që zgjodhën.
3 Atëherë Jahveh-u tha: "Nuk do të rrijë Fryma ime përjetë në njeriun, sepse ai është bash mish; prandaj ditët e tij do të jenë njëqind e njëzet vjet".
4 Nefilimët qenë në tokë në ato ditë (dhe gjithashtu më pas), kur bijtë e Perëndisë hynin te bijat e njeriut dhe ato u lindnin atyre fëmijë. Këta janë kreshnikët që ishin nga lashtësia, burra me emër.
5 Dhe Jahveh-u pa se ligësia e njeriut ishte e madhe mbi tokë dhe se çdo synim i mendimeve të zemrës së tij ishte vetëm e liga gjithë kohën.
6 Dhe Jahveh-ut i erdhi keq që kishte bërë njeriun mbi tokë, dhe u trishtua në zemrën e vet.
7 Dhe Jahveh-u tha: "Do ta fshij njeriun që kam krijuar nga faqja e dheut, duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, deri te zvarraniku dhe deri te shpendi i qiejve, sepse më vjen keq që i kam bërë ata".
8 Por Noeu gjeti hir në sytë e Jahveh-ut.
9 Këto janë breznitë e Noeut. Noeu ishte burrë i drejtë, i ndershëm ndër ata të brezit të tij. Noeu eci me Perëndinë.
10 Dhe Noeut i lindën tre bij: Semi, Kami dhe Jafeti.
11 Dhe toka ishte shthurur përpara Perëndisë; dhe toka ishte mbushur me dhunë.
12 Dhe Perëndia pa tokën, dhe ja, ajo ishte shthurur, sepse çdo mish e kishte shthurur rrugën e vet mbi tokë.
13 Dhe Perëndia i tha Noeut: "Fundi i çdo mishi ka arritur përpara meje, sepse toka është mbushur me dhunë për shkak të tyre; dhe ja, unë do t'i shkatërroj ata bashkë me tokën.
14 Bëj për vete një arkë me dru goferi; me kthina do ta bësh arkën dhe do ta mbulosh atë nga brenda dhe nga jashtë me zift.
15 Tani, kjo është se si do ta bësh atë: treqind kubitë do të jetë gjatësia e arkës, pesëdhjetë kubitë gjerësia e saj dhe tridhjetë kubitë lartësia e saj.
16 Do të bësh një baxhë për arkën dhe do ta përfundosh me një kubit lartësi nga syprina; dhe derën e arkës do ta vësh në anë të saj; me një kat të poshtëm, një të dytë dhe një të tretë do ta bësh atë.
17 Dhe unë, ja, unë do të sjell përmbytjen, ujëra mbi tokë për të shkatërruar çdo mish që ka në të frymë jete përposhtë qiejve; gjithçka që gjendet mbi tokë do të vdesë.
18 Por unë do ta caktoj besëlidhjen time me ty, dhe do të hysh në arkë ti dhe bijtë e tu, dhe gruaja jote, dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty.
19 Dhe nga çdo gjallesë prej çdo mishi, dy nga çdo lloj do t'i sjellësh tek arka për t'i mbajtur gjallë bashkë me ty; do të jenë mashkull dhe femër.
20 Nga fluturaku sipas llojit të tij dhe nga bagëtia sipas llojit të saj, nga çdo zvarranik i dheut sipas llojit të tij, dy nga çdo lloj do të vijnë te ti për t'i mbajtur gjallë.
21 Dhe ti merr për vete nga çdo lloj ushqimi që hahet, dhe mblidhe pranë teje. Dhe ai do të jetë si ushqim për ty dhe për ata".
22 Dhe Noeu ashtu bëri; sipas gjithë asaj që e urdhëroi Perëndia atë, kështu bëri.
Të gjithë librat
