Zanafilla 50
1 Atëherë Jozefi ra mbi fytyrën e atit të tij dhe qau mbi të, dhe e puthi.
2 Dhe Jozefi i urdhëroi skllevërit e tij, mjekët, që ta balsamosnin atin e tij; dhe mjekët e balsamosën Izraelin.
3 Pastaj u mbushën dyzet ditë për të, sepse kaq duhet të mbushen për ditët e balsamimit, dhe egjiptasit e qanë për shtatëdhjetë ditë.
4 Atëherë kaluan ditët e vajtimit për të dhe Jozefi i foli shtëpisë së faraonit, duke thënë: "Nëse tani kam gjetur hir në sytë tuaj, flisni, ju lutem, në veshët e faraonit, duke thënë:
5 Ati im më vuri të betohem, duke thënë: 'Ja, unë po vdes. Në varrin tim, që kam gërmuar për veten në tokën e Kanaanit, atje më varros'. Dhe tani, të lutem, më lejo të ngjitem dhe të varros atin tim; pastaj do të kthehem".
6 Dhe faraoni tha: "Ngjitu dhe varrose atin tënd, ashtu siç të vuri të betohesh".
7 Kështu, Jozefi u ngjit për të varrosur atin e tij dhe bashkë me të u ngjitën gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë e shtëpisë së tij dhe gjithë pleqtë e tokës së Egjiptit;
8 si dhe gjithë shtëpia e Jozefit dhe vëllezërit e tij, dhe shtëpia e atit të tij. Vetëm të vegjlit e tyre dhe të imëtat e tyre, dhe të trashat e tyre i lanë në tokën e Goshenit.
9 Dhe bashkë me të u ngjitën edhe koçi, edhe kalorës; dhe fushimi qe tepër i madh.
10 Atëherë erdhën te lëmi i Atadit, që është përtej Jordanit, dhe atje vajtuan me një vajtim shumë të madh dhe të hidhur; dhe ai mbajti zi për të atin shtatë ditë.
11 Dhe banorët e vendit, kanaanitët, e panë zinë në lëmin e Atadit dhe thanë: "Kjo është një zi e madhe për egjiptasit". Prandaj atij vendi iu vu emri Abel Micraim, që është përtej Jordanit.
12 Kështu, bijtë e Jakobit bënë për të pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar.
13 Dhe bijtë e tij e mbartën për në tokën e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Makpelahut, të cilën e kishte blerë Abrahami bashkë me fushën si pronësi për varr nga Efroni, hititi, përballë Mamreut.
14 Pastaj Jozefi u kthye në Egjipt, ai dhe vëllezërit e tij, dhe gjithë ata që ishin ngjitur bashkë me të për të varrosur atin e tij, pasi ai varrosi atin e tij.
15 Atëherë vëllezërit e Jozefit panë se ati i tyre ka vdekur tashmë dhe thanë: "Oh sikur Jozefi të na mbajë mëri dhe të na e kthejë plotësisht gjithë të keqen që i kemi bërë!".
16 Kështu, ata i dërguan fjalë Jozefit, duke thënë: "Ati yt urdhëroi përpara se të vdiste, duke thënë:
17 'Kështu do t'i thoni Jozefit: Të lutem, fale, të lutem, shkeljen e vëllezërve të tu dhe mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë të keqe'. Dhe tani, fale, të lutemi, shkeljen e skllevërve të Perëndisë të atit tënd". Dhe Jozefi qau kur ata i folën atij.
18 Pastaj vëllezërit e tij shkuan, gjithashtu, dhe ranë përmbys përpara tij, dhe thanë: "Ja, ne jemi skllevërit e tu".
19 Por Jozefi u tha atyre: "Mos u frikësoni! Se a jam unë në vend të Perëndisë?!
20 Tani, ju keni menduar të keqen kundër meje, por Perëndia ka menduar për të mirë, me qëllim që të bënte këtë që po ndodh sot: të mbajë gjallë një popull të shumtë.
21 Dhe tani, mos u frikësoni! Unë vetë do t'ju mbaj me bukë ju dhe të vegjlit tuaj". Kështu, i ngushëlloi ata dhe i foli zemrës së tyre.
22 Dhe Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e atit të tij; dhe Jozefi jetoi njëqind e dhjetë vjet.
23 Dhe Jozefi pa bijtë e brezit të tretë të Efraimit; edhe bijtë e Makirit, birit të Manaseut, lindën mbi gjunjët e Jozefit.
24 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes, por Perëndia do t'ju vizitojë me siguri dhe do t'ju ngjitë nga kjo tokë te toka që iu betua Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".
25 Atëherë Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia do t'ju vizitojë me siguri dhe ju do t'i merrni eshtrat e mia prej këtej".
26 Dhe Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç. Atëherë e balsamosën dhe e vunë në një arkivol, në Egjipt.
Të gjithë librat
