Zanafilla 49
1 Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Ejani tok që t'ju tregoj atë që do t'ju ndodhë në ditët e fundit.
2 Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit; dhe dëgjojeni Izraelin, atin tuaj.
3 O Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime dhe fillimi i fuqisë sime burrërore, i shquar në dinjitet dhe i shquar në forcë.
4 I rrëmbyer si ujërat, nuk do të kesh përparësi, sepse u ngjite në shtratin e atit tënd; atëherë e përdhose – Ai u ngjit në krevatin tim.
5 Simeoni dhe Levi janë vëllezër; vegla dhune janë kamat e tyre.
6 Në këshillimin e tyre të fshehtë mos hyftë shpirti im; me bashkësinë e tyre mos u bashkoftë lavdia ime. Se në zemërimin e tyre kanë vrarë njerëz dhe sipas tekës së tyre u kanë prerë leqet demave.
7 Qoftë mallkuar zemërimi i tyre, sepse qe i egër; edhe furia e tyre, sepse qe e ashpër! Do t'i përndaj nëpër Jakobin dhe do t'i shpërndaj nëpër Izrael.
8 O Judë, sa për ty, do të të përlëvdojnë vëllezërit e tu; dora jote do të jetë në zverkun e armiqve të tu; do të bien përmbys para teje bijtë e atit tënd.
9 Këlysh luani është Juda; nga preja je ngritur, o biri im. Është përkulur, është kruspulluar si luan dhe si luaneshë; kush guxon ta çojë?!
10 Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandimit nga midis këmbëve të tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t'i binden popujt.
11 Duke e lidhur te hardhia kërriçin e tij dhe te pjergulla, pjellën e gomaricës së tij, e ka larë në verë veshjen e tij dhe në gjakun e rrushit petkun e tij.
12 Sytë i ka më të errët se vera dhe dhëmbët më të bardhë se qumështi.
13 Zabuloni, pranë bregut të detit do të banojë; dhe ai do të jetë breg për anijet, dhe kufiri i tij do të shtrihet drejt Sidonit.
14 Isakari është një gomar kockëfortë, i shtrirë ndërmjet hejbeve të samarit.
15 Dhe ai pa se vendi i prehjes ishte i mirë dhe se toka qe e këndshme; kështu, e anoi supin për të mbajtur barrë dhe u bë skllav për punë të detyruar.
16 Dani do të bëjë gjykimin e popullit të tij, si një nga fiset e Izraelit.
17 Dani do të jetë një gjarpër pranë rrugës, një nepërkë me brirë pranë shtegut, që kafshon thembrat e kalit dhe, kështu, kalorësi i tij bie në shpinë.
18 Për shpëtimin tënd pres, o Jahveh!
19 Gadin, një çetë do ta sulmojë, por ai do të sulmojë thembrat e tyre.
20 Sa për Asherin, e bollshme do të jetë buka e tij dhe ai do të japë ushqime të përzgjedhura mbreti.
21 Neftali është një drenushë e lëshuar; ai jep fjalë të bukura.
22 Një lastar frytdhënës është Jozefi, një lastar frytdhënës pranë burimit; degët e tij kacavaren mbi mur.
23 E hidhëruan dhe e kanë qëlluar, dhe i kanë mbajtur mëri shigjetarët,
24 por mbeti i palëvizur harku i tij dhe u shkathtësuan krahët e tij, nga duart e të Fuqishmit të Jakobit (prej atje është Bariu, Guri i Izraelit),
25 nga Perëndia i atit tënd, që do të të ndihmojë, dhe nga i Plotfuqishmi që do të të bekojë me bekime të qiejve përsipër, me bekime të thellësisë që shtrihet poshtë, me bekime të gjinjve dhe të anit.
26 Bekimet e atit tënd ia kanë tejkaluar bekimeve të paraardhësve të mi, deri në kufirin e kodrave të përjetshme. Qofshin ato mbi kokën e Jozefit dhe mbi majën e kokës së të veçuarit nga vëllezërit e tij!
27 Beniamini është një ujk që shqyen; në mëngjes e përpin prenë dhe në mbrëmje plaçkën ndan".
28 Të gjithë këta janë dymbëdhjetë fiset e Izraelit dhe kjo është çfarë u foli atyre ati i tyre. Kështu i bekoi ata, secilin nga ata që e bekoi sipas bekimit të tij.
29 Atëherë i urdhëroi dhe u tha atyre: "Unë po bashkohem me popullin tim. Më varrosni me etërit e mi te shpella që është në fushën e Efronit, hititit,
30 në shpellën që është në fushën e Makpelahut, që është përballë Mamreut, në tokën e Kanaanit, të cilën Abrahami e bleu bashkë me fushën nga Efroni, hititi, si pronësi për varr.
31 Atje varrosën Abrahamin dhe Sarën, gruan e tij; atje varrosën Isakun dhe Rebekën, gruan e tij; dhe atje varrosa Lean.
32 Fusha dhe shpella që është në të u blenë nga bijtë e Hetit".
33 Kështu, Jakobi mbaroi së urdhëruari bijtë e tij dhe i mblodhi këmbët në shtrat. Atëherë dha grahmën dhe u bashkua me popullin e tij.
Të gjithë librat
