Zanafilla 48
1 Dhe ndodhi që, mbas këtyre gjërave, Jozefit iu tha: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu, ai mori me vete dy bijtë e tij, Manaseun dhe Efraimin.
2 Atëherë Jakobit iu tregua dhe iu tha: "Ja, biri yt, Jozefi, po vjen te ti". Kështu, Izraeli i dha forcë vetes dhe ndenji ulur mbi shtrat.
3 Dhe Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m'u shfaq në Luz, në tokën e Kanaanit, dhe më bekoi,
4 dhe më tha: 'Ja, unë do të të bëj të frytshëm dhe do të të shumoj, dhe do të të bëj një bashkësi popujsh; dhe këtë tokë do t'ia jap pasardhjes sate mbas teje si pronësi të përjetshme'.
5 Dhe tani, dy bijtë e tu, që të lindën në tokën e Egjiptit para se unë të vija te ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manaseu do të jenë të mitë, siç janë Rubeni dhe Simeoni.
6 Por farefisnia jote që do të kesh lindur mbas tyre, do të jenë të tutë; sipas emrit të vëllezërve të tyre do të thirren në lidhje me trashëgiminë e tyre.
7 Dhe sa për mua, kur po vija nga Padani, Rakela vdiq, për të zezën time, në tokën e Kanaanit, gjatë rrugës, kur kishte ende njëfarë largësie për të arritur në Efrata; dhe unë e varrosa atje, në rrugën për në Efrata (domethënë në Betlehem)".
8 Atëherë Izraeli pa bijtë e Jozefit dhe tha: "Kush janë këta?".
9 Dhe Jozefi i tha atit të tij: "Janë bijtë e mi, që Perëndia m'i dha në këtë vend". Dhe ai tha: "Silli, të lutem, tek unë, që t'i bekoj".
10 Tani, sytë e Izraelit qenë rënduar prej pleqërisë; nuk mund të shihte. Kështu, Jozefi i afroi tek ai dhe ai i puthi dhe i përqafoi.
11 Atëherë Izraeli i tha Jozefit: "Nuk mendoja se do ta shoh më fytyrën tënde, por ja, Perëndia më bëri të shoh edhe pasardhjen tënde".
12 Dhe Jozefi i largoi ata nga gjunjët e tij dhe ra përmbys me fytyrën e tij drejt tokës.
13 Pastaj Jozefi i mori të dy, Efraimin në të djathtën e tij, nga e majta e Izraelit, dhe Manaseun në të majtën e tij, nga e djathta e Izraelit, dhe i afroi tek ai.
14 Dhe Izraeli shtriu të djathtën e tij dhe e vendosi mbi kokën e Efraimit, por ai ishte i vogli, ndërsa të majtën e tij mbi kokën e Manaseut; kështu, i kryqëzoi duart e tij, ndonëse Manaseu ishte i parëlinduri.
15 Pastaj e bekoi Jozefin dhe tha: "Perëndia, përpara të cilit kanë ecur etërit e mi, Abrahami dhe Isaku, Perëndia që ka qenë bariu im gjatë gjithë jetës sime deri në këtë ditë,
16 engjëlli që më ka shpenguar nga çdo e keqe, i bekoftë djemtë; dhe në ta u thirrtë emri im dhe emri i etërve të mi, Abrahamit dhe Isakut; dhe u shumofshin në mori në mes të tokës!".
17 Por Jozefi pa që i ati mbante të vendosur dorën e tij të djathtë mbi kryet e Efraimit dhe kjo gjë qe e keqe në sytë e tij. Atëherë ai mbërtheu dorën e të atit për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manaseut.
18 Dhe Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse ky është i parëlinduri. Vëre të djathtë tënde mbi kryet e tij!".
19 Por ati i tij kundërshtoi dhe tha: "E di, biri im, e di! Edhe ai do të bëhet një popull dhe, gjithashtu, ai do të jetë i madh; por megjithatë, vëllai i tij i vogël do të jetë më i madh se ai dhe pasardhja e tij do të bëhet mbushulli kombesh".
20 Dhe ai i bekoi në atë ditë, duke thënë: "Me ju do të bekojë Izraeli, duke thënë: 'Perëndia të bëftë si Efraimi dhe si Manaseu!'". Kështu e vuri Efraimin përpara Manaseut.
21 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë po vdes, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t'ju kthejë në tokën e etërve tuaj.
22 Dhe unë po të jap, ndryshe nga vëllezërve të tu, një kreshtë malore, atë që mora nga dora e amoritëve me shpatën time dhe me harkun tim".
Të gjithë librat
