Zanafilla 47
1 Dhe Jozefi erdhi dhe i tregoi faraonit, dhe tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, dhe të imëtat e tyre, dhe të trashat e tyre, dhe gjithçka që kanë, kanë ardhur prej tokës së Kanaanit; dhe ja, ata janë në tokën e Goshenit".
2 Dhe nga tërë vëllezërit e tij mori pesë burra dhe i vendosi përpara faraonit.
3 Atëherë faraoni u tha vëllezërve të tij: "Me çfarë pune merreni?". Dhe ata i thanë faraonit: "Skllevërit e tu janë barinj dhensh, qoftë ne e qoftë etërit tanë".
4 Pastaj i thanë faraonit: "Kemi ardhur për të banuar përkohësisht në këtë vend, sepse nuk ka kullotë për grigjën që kanë skllevërit e tu, se zia e bukës është e rëndë në tokën e Kanaanit. Dhe tani, të lutemi, le të banojnë skllevërit e tu në tokën e Goshenit".
5 Atëherë faraoni i foli Jozefit, duke thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu kanë ardhur te ti.
6 Toka e Egjiptit është përpara teje; vendoje atin tënd dhe vëllezërit e tu në pjesën më të mirë të vendit. Le të banojnë në tokën e Goshenit dhe nëse ti di se ka ndër ta burra të zotë, vëri si përgjegjës të bagëtisë që është e imja".
7 Pastaj Jozefi solli Jakobin, atin e tij, dhe e paraqiti përpara faraonit; dhe Jakobi e bekoi faraonin.
8 Dhe faraoni i tha Jakobit: "Sa janë ditët e viteve të jetës sate?".
9 Dhe Jakobi i tha faraonit: "Ditët e viteve të qëndrimit tim si i huaj janë njëqind e tridhjetë vjet. Të pakta dhe të këqija kanë qenë ditët e viteve të jetës sime dhe nuk i kanë arritur ditët e viteve të jetës së etërve të mi në ditët e qëndrimit të tyre si të huaj".
10 Pastaj Jakobi e bekoi faraonin dhe doli nga prania e faraonit.
11 Dhe Jozefi e vendoi atin e tij dhe vëllezërit e tij dhe u dha atyre pronësi në tokën e Egjiptit, në pjesën më të mirë të vendit, në tokën e Ramesesit, sikurse kishte urdhëruar faraoni.
12 Dhe Jozefi mbajti me bukë atin e tij dhe vëllezërit e tij, dhe gjithë shtëpinë e atit të tij, sipas gojëve të të vegjëlve.
13 Tani, nuk kishte bukë në gjithë vendin, sepse zia e bukës ishte shumë e rëndë. Kështu, toka e Egjiptit dhe toka e Kanaanit u ligën për shkak të zisë së bukës.
14 Dhe Jozefi mblodhi gjithë paranë që gjendej në tokën e Egjiptit dhe në tokën e Kanaanit, në këmbim të grurit që ata blinin; dhe Jozefi e solli paranë në shtëpinë e faraonit.
15 Atëherë paraja mbaroi në tokën e Egjiptit dhe në tokën e Kanaanit dhe gjithë egjiptasit erdhën te Jozefi, duke thënë: "Na jep bukë! E përse duhet të vdesim para syve të tu? Se paraja jonë u sos".
16 Dhe Jozefi tha: "Sillni bagëtitë tuaja dhe do t'ju jap bukë në këmbim të bagëtive tuaja, nëse paraja juaj u sos".
17 Kështu, ata sollën bagëtitë e tyre te Jozefi; dhe Jozefi u dha atyre bukë në këmbim të kuajve dhe të bagëtisë së imët, dhe të bagëtisë së trashë, dhe të gomarëve. Dhe ai i furnizoi me bukë në këmbim të të gjithë bagëtisë së tyre, gjatë atij viti.
18 Atëherë ai vit mbaroi dhe në vitin e dytë ata erdhën tek ai dhe i thanë: "Nuk do ta fshehim nga zotëria ynë, porse paraja jonë ka mbaruar dhe gjëja e gjallë i përket zotërisë tonë. Nuk ka mbetur asgjë përpara zotërisë tonë, përveç kufomave tona dhe arave tona.
19 Përse duhet të vdesim para syve të tu, qoftë ne e qoftë arat tona? Na bli ne dhe arat tona në këmbim të bukës, që ne dhe arat tona të bëhemi skllevër të faraonit. Dhe na jep farë, që të jetojmë dhe të mos vdesim, dhe arat tona të mos mbeten djerrë".
20 Atëherë Jozefi bleu për faraonin gjithë arat e Egjiptit, se egjiptasit shitën secili fushën e vet, sepse zia e bukës qe e rëndë mbi ta. Kështu, toka u bë e faraonit,
21 ndërsa popullin e zhvendosi sipas qyteteve, nga njëri skaj i kufirit të Egjiptit deri në skajin tjetër.
22 Vetëm arat e priftërinjve nuk i bleu, sepse për priftërinjtë kishte një racion të caktuar nga ana e faraonit dhe ata hanin racionin e caktuar të tyre që ua kishte dhënë faraoni. Prandaj ata nuk i shitën arat e tyre.
23 Atëherë Jozefi i tha popullit: "Ja, sot ju kam blerë ju dhe arat tuaja për faraonin. Ja fara për ju, tani mbillni arat!
24 Dhe do të ndodhë që, në të korrat, ju do të jepni një të pestën për faraonin, ndërsa katër pjesët e tjera do të jenë tuajat, për farën e fushës dhe për ushqimin tuaj, dhe për ata që janë në shtëpitë tuaja, dhe që të hanë të vegjlit tuaj".
25 Dhe ata thanë: "Na ke mbajtur gjallë! Le të gjejmë hir në sytë e zotërisë tonë dhe ne do të jemi skllevër të faraonit".
26 Kështu, Jozefi e bëri këtë si statut lidhur me arat e Egjiptit deri në këtë ditë: Një e pesta është për faraonin. Vetëm arat e priftërinjve u lanë veçmas dhe nuk u bënë të faraonit.
27 Dhe Izraeli banoi në tokën e Egjiptit, në tokën e Goshenit; dhe ata u kapën në atë vend dhe qenë të frytshëm, dhe u shumuan shumë.
28 Dhe Jakobi jetoi në tokën e Egjiptit shtatëmbëdhjetë vjet; kështu, ditët e Jakobit, vitet e jetës së tij, qenë njëqind e dyzet e shtatë vjet.
29 Atëherë u afruan ditët e Izraelit kur do të vdiste dhe ai thirri birin e tij, Jozefin, dhe i tha: "Nëse tani kam gjetur hir në sytë e tu, vëre, të lutem, dorën tënde poshtë fundbarkut tim dhe trego me mua besëmirësi dhe besnikëri. Të lutem, mos më varros në Egjipt,
30 por dua të prehem me etërit e mi. Kështu, do të më mbartësh nga Egjipti dhe do të më varrosësh në varrin e tyre". Dhe Jozefi tha: "Unë do të bëj sipas fjalës sate".
31 Dhe ai tha: "M'u beto!". Dhe Jozefi iu betua. Atëherë Izraeli ra përmbys në adhurim mbi kryet e shtratit.
Të gjithë librat
