Zanafilla 45
1 Atëherë Jozefi nuk mundi ta përmbante veten përpara të gjithë atyre që po qëndronin pranë tij dhe thirri: "Nxirrini jashtë të gjithë që janë rreth meje!". Kështu, asnjeri nuk mbeti me të, kur Jozefi ua bëri të njohur veten vëllezërve të tij.
2 Dhe ai qau me zë të lartë, dhe egjiptasit e dëgjuan, dhe shtëpia e faraonit e dëgjoi.
3 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë jam Jozefi! A është ende gjallë ati im?". Por vëllezërit e tij nuk mundën t'i përgjigjeshin, sepse u tmerruan nga prania e tij.
4 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Afrohuni tek unë, ju lutem!", dhe ata u afruan. Atëherë ai tha: "Unë jam Jozefi, vëllai juaj, që më shitët në Egjipt.
5 Por tani, mos u trishtoni dhe mos u nxehni me veten tuaj se më shitët këtu, sepse për të ruajtur jetë, Perëndia më dërgoi përpara jush.
6 Sepse këto dy vjet, zia e bukës ka qenë në mes të vendit, por do të ketë ende pesë vite të tjera, gjatë të cilave nuk do të ketë as lërim dhe as korrje.
7 Kështu, Perëndia më dërgoi përpara jush që të ruajë për ju një mbetje mbi tokë dhe të mbajë gjallë për ju një mbetje të madhe të mbijetuarish.
8 Kështu tani, nuk ishit ju që më dërguat këtu, por Perëndia; dhe ai më bërë si një atë për faraonin dhe si zot për gjithë shtëpinë e tij, dhe sundimtar në gjithë tokën e Egjiptit.
9 Nxitoni dhe ngjituni tek ati im, dhe i thoni atij: 'Kështu thotë biri yt, Jozefi: Perëndia më ka bërë si zot për gjithë Egjiptit. Zbrit tek unë, mos vono!
10 Dhe ti do të banosh në tokën e Goshenit dhe do të jesh afër meje ti dhe bijtë e tu, dhe bijtë e bijve të tu, dhe të imëtat e tua, dhe të trashat e tua, dhe gjithçka që është e jotja.
11 Dhe ty do të të mbaj atje me ushqime, sepse ka ende pesë vite të tjera zi buke, që të mos varfërohesh ti dhe shtëpia jote, dhe gjithçka që është e jotja'.
12 Dhe ja, sytë tuaj po shohin, edhe sytë e vëllait tim, Beniaminit, se është goja ime ajo që po ju flet.
13 Kështu, tregojini atit tim gjithë lavdinë time në Egjipt dhe gjithçka që keni parë. Atëherë nxitoni dhe zbriteni atin tim këtu".
14 Pastaj iu hodh në qafë Beniaminit, vëllait të tij, dhe qau; edhe Beniamini qau në qafën e tij.
15 Dhe ai puthi gjithë vëllezërit e tij, dhe qau mbi ta; dhe mbas kësaj vëllezërit e tij folën me të.
16 Tani, jehona e kësaj u dëgjua në shtëpinë e faraonit, duke thënë: "Kanë ardhur vëllezërit e Jozefit". Dhe kjo qe e mirë në sytë e faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij.
17 Atëherë faraoni i tha Jozefit: "Thuaju vëllezërve të tu: 'Bëni këtë: ngarkoni kafshët tuaja dhe kthehuni në tokën e Kanaanit.
18 Pastaj merrni atin tuaj dhe familjet tuaja dhe ejani tek unë, dhe unë do t'ju jap tokën më të mirë të Egjiptit dhe ju do të hani prodhimet më të mira të vendit.
19 Dhe ti Jozef urdhërohesh të thuash: 'Bëni këtë: merrni me vete nga toka e Egjiptit qerre për të vegjlit tuaj dhe për gratë tuaja dhe silleni atin tuaj, dhe ejani këtu.
20 Dhe mos u merakosni për sendet tuaja, sepse më e mira e gjithë tokës së Egjiptit është juaja'".
21 Atëherë bijtë e Izraelit bënë kështu; dhe Jozefi u dha atyre qerre sipas urdhrit të faraonit dhe u dha furnizim për rrugën.
22 Të gjithë atyre u dha për secilin nga një palë rroba, por Beniaminit i dha treqind monedha argjendi dhe pesë palë rroba.
23 Ndërsa të atit i dërgoi këto: dhjetë gomarë të ngarkuar me të mirat e Egjiptit dhe dhjetë gomarica të ngarkuara me grurë dhe bukë, si dhe ushqime për të atin për rrugën.
24 Pastaj i përcolli vëllezërit e tij dhe ata shkuan; dhe u tha atyre: "Mos u trandni gjatë rrugës!".
25 Kështu, ata u ngjitën nga Egjipti dhe erdhën në tokën e Kanaanit te Jakobi, ati i tyre.
26 Dhe ata i treguan, duke thënë: "Jozefi është ende gjallë dhe ai sundon në gjithë tokën e Egjiptit!". Dhe Jakobit i ngriu zemra, sepse nuk u besonte atyre.
27 Pastaj i thanë atij të gjitha fjalët e Jozefit, që ai ua kishte thënë atyre, dhe ai pa qerret që Jozefi kishte dërguar për ta marrë. Atëherë u gjallërua fryma e Jakobit, atit të tyre.
28 Dhe Izraeli tha: "Mjafton! Jozefi, biri im, qenka ende gjallë! Do të shkoj dhe do ta shoh para se të vdes".
Të gjithë librat
