Zanafilla 44
1 Pastaj Jozefi e urdhëroi atë që ishte përgjegjës mbi shtëpinë e tij, duke thënë: "Mbushi hararët e burrave me ushqim, aq sa mund të mbajnë, dhe vëre paranë e secilit në grykën e hararit të tij,
2 ndërsa kupën time, kupën time të argjendtë, vëre në grykën e hararit të më të voglit, bashkë me paranë e grurit të tij". Dhe ai bëri sipas fjalës që tha Jozefi.
3 Zbardhi mëngjesi dhe burrat u përcollën, ata dhe gomarët e tyre.
4 Ata kishin dalë nga qyteti, nuk qenë larguar shumë, dhe Jozefi i tha atij që ishte përgjegjës mbi shtëpinë e tij: "Çohu, ndiqi pas burrat! Dhe kur t'i arrish, do t'u thuash atyre: 'Përse e shpërblyet me të keqe të mirën?!".
5 A nuk është kjo kupa me të cilën pi imzot dhe me të cilën ai vërtet ushtron njohjen me ogur?! Ju keni vepruar keq duke bërë këtë'".
6 Kështu, ai i arriti dhe u tha atyre këto fjalë.
7 Dhe ata i thanë atij: "Përse flet imzot fjalë të tilla? Larg qoftë për skllevërit e tu që ata të bëjnë një gjë të tillë!
8 Ja, paranë që kishim gjetur në grykën e hararëve tanë, e sollëm përsëri te ti që nga toka e Kanaanit. E si do të vidhnim nga shtëpia e zotërisë tënd argjend ose ar?!".
9 Cilido prej skllevërve të tu që gjendet me të do të vdesë; dhe ne, gjithashtu, do të jemi skllevërit e timzot".
10 Dhe ai tha: "Tani, pikërisht sipas fjalëve tuaja, kështu le të bëhet: cilido që gjendet me të do të jetë skllavi im, ndërsa ju të tjerët do të jeni të pafajshëm".
11 Atëherë nxituan dhe zbritën secili hararin e vet në tokë, dhe hapën secili hararin e vet.
12 Kështu, ai kontrolloi, duke filluar me të madhin e duke përfunduar me të voglin, dhe kupa u gjend në hararin e Beniaminit.
13 Atëherë ata shqyen rrobat e tyre dhe secili ngarkoi gomarin e vet, dhe u kthyen në qytet.
14 Pastaj Juda dhe vëllezërit e tij erdhën në shtëpinë e Jozefit dhe ai ishte ende atje. Dhe ata ranë përpara tij përtokë.
15 Atëherë Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? A nuk e dini se një njeri si unë mund të njohë me të vërtetë me ogur?".
16 Dhe Juda tha: "Çfarë t'i themi zotërisë tim?! Çfarë të flasim dhe si ta shfajësojmë veten?! Perëndia e ka gjetur paudhësinë e skllevërve të tu. Ja, ne jemi skllevërit e zotërisë tim, edhe ne, edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".
17 Por ai tha: "Larg qoftë për mua që unë ta bëj këtë! Burri në dorën e të cilit u gjet kupa, ai do të jetë skllavi im; ndërsa ju ngjituni në paqe tek ati juaj".
18 Atëherë Juda iu afrua atij dhe tha: "Oh, imzot, le të flasë, të lutem, skllavi yt një fjalë në veshët e zotërisë tim dhe le të mos ndizet zemërimi yt kundër skllavit tënd, sepse ti je si faraoni.
19 Imzot i pyeti skllevërit e tij, duke thënë: 'A keni atë ose vëlla?'.
20 Dhe ne i thamë zotërisë tim: 'Kemi një atë plak dhe djalin e pleqërisë së tij, vëllain e vogël. Por vëllai i tij ka vdekur dhe ka mbetur vetëm ai nga fëmijët e nënës së tij, dhe i ati e do'.
21 Atëherë ti u the skllevërve të tu: 'Zbriteni tek unë, që ta shoh me sytë e mi'.
22 Dhe ne i thamë zotërisë tim: 'Djaloshi nuk mund ta lërë atin e tij; po e la atin e tij, ky do të vdesë'.
23 Por ti u the skllevërve të tu: 'Nëse nuk zbret vëllai juaj i vogël me ju, nuk do ta shihni më fytyrën time'.
24 Dhe ndodhi që, kur u ngjitëm te skllavi yt, ati im, i treguam atij fjalët e zotërisë tim.
25 Dhe ati ynë tha: 'Kthehuni dhe na blini pak ushqim'.
26 Por ne thamë: 'Nuk mund të zbresim. Nëse vëllai ynë i vogël është me ne, atëherë do të zbresim, sepse nuk do të mund ta shohim fytyrën e atij burri, nëse vëllai ynë i vogël nuk është me ne'.
27 Atëherë skllavi yt, ati im, na tha: 'Ju e dini se gruaja ime më lindi dy bij,
28 por njëri iku prej meje dhe unë thashë: Me siguri është shqyer e bërë copash; dhe nuk e kam parë më që atëherë.
29 Nëse e merrni edhe këtë prej meje dhe i ndodh ndonjë dëm, atëherë do t'i zbrisni thinjat e mia me brengosje në Sheol'.
30 Dhe tani, kur unë të shkoj te skllavi yt, ati im, dhe djaloshi të mos jetë me ne – dhe jeta e tij është e lidhur me jetën e djalit –
31 atëherë do të ndodhë që, kur ai të shohë se djaloshi nuk është, do të vdesë, dhe skllevërit e tu do t'i zbresin thinjat e skllavit tënd, atit tonë, me pikëllim në Sheol.
32 Se skllavi yt është bërë dorëzanë për djaloshin para atit tim, duke thënë: 'Nëse nuk e sjell te ti, atëherë do të jem fajtor ndaj atit tim të gjitha ditët e jetës sime'.
33 Dhe tani, le të rrijë, të lutem, skllavi yt në vend të djaloshit si skllav i zotërisë tim, ndërsa djaloshi le të ngjitet me vëllezërit e tij.
34 Sepse si mund të ngjitem tek ati im ndërsa djaloshi nuk është me mua? Përndryshe do të duhet të shoh të keqen që do ta gjejë atin tim".
Të gjithë librat
