Zanafilla 43
1 Tani, zia e bukës ishte e rëndë në vend.
2 Dhe ndodhi që, kur ata mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, ati i tyre u tha atyre: "Kthehuni dhe na blini pak ushqim".
3 Por Juda i foli atij, duke thënë: "Ai burrë na paralajmëroi prerë, duke thënë: 'Nuk do ta shihni fytyrën time, veçse po të jetë vëllai juaj me ju.'
4 Nëse ti e dërgon vëllain tonë me ne, do të zbresim dhe do të blejmë ushqim për ty.
5 Por nëse ti nuk e dërgon, ne nuk do të zbresim, sepse ai burrë na tha: 'Nuk do ta shihni fytyrën time, veçse po të jetë vëllai juaj me ju'".
6 Atëherë Izraeli tha: "Përse më bëtë këtë të keqe, duke i treguar atij burri se keni edhe një vëlla?".
7 Dhe ata thanë: "Ai burrë pyeti me hollësi për ne dhe për farefisin tonë, duke thënë: 'A është ende gjallë ati juaj? A keni vëlla tjetër?'. Dhe ne i treguam në përgjigje të këtyre pyetjeve. Si mund ta dinim me siguri se do të thoshte: 'Zbriteni këtu vëllain tuaj!'?".
8 Dhe Juda i tha Izraelit, të atit: "Dërgoje djaloshin me mua dhe le të çohemi e të shkojmë, që të jetojmë dhe të mos vdesim, as ne, as ti, as të vegjlit tanë.
9 Unë do të bëhem dorëzanë për të; nga dora ime do të kërkosh llogari për të. Nëse nuk e sjell te ti dhe nuk e vendos përpara teje, atëherë do të jem fajtor ndaj teje të gjitha ditët e jetës sime.
10 Se po të mos ishim vonuar, me siguri deri tani do të ishim kthyer dy herë".
11 Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Nëse duhet të jetë kështu, atëherë bëni këtë: merrni në thasët tuaj nga prodhimet më të mira të tokës dhe çojani atij burri si dhuratë: pak balsam dhe pak mjaltë, rrëshirë dhe mirrë, fëstëkë dhe bajame.
12 Merrni në dorën tuaj edhe dyfishin e parasë. Edhe paranë që u kthye në grykën e hararëve tuaj, merreni mbrapsht në dorën tuaj; ndoshta ishte një gabim.
13 Merrni edhe vëllain tuaj dhe çohuni e kthehuni tek ai burrë.
14 Dhe Perëndia i plotfuqishëm ju dhëntë përdëllimë përpara atij burri, që t'ua kthejë vëllain tuaj tjetër dhe Beniaminin. Ndërsa unë, nëse duhet të mbetem pa fëmijë, le të mbetem pa fëmijë!".
15 Dhe burrat e morën atë dhuratë dhe morën dyfish para në dorën e tyre, si dhe Beniaminin. Pastaj u çuan dhe zbritën në Egjipt, dhe qëndruan përpara Jozefit.
16 Dhe Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta dhe i tha atij që ishte përgjegjës mbi shtëpinë e tij: "Çoji këta burra në shtëpi dhe ther një kafshë e bëj përgatitjet, sepse këta burra do të hanë me mua në drekë".
17 Dhe burri bëri ashtu siç tha Jozefi dhe ai i solli burrat në shtëpinë e Jozefit.
18 Dhe burrat u frikësuan, sepse i sollën në shtëpinë e Jozefit, dhe thanë: "Për punën e parasë që u kthye në hararët tanë herën e parë ne po çohemi atje, që të lëshohet mbi ne dhe të bjerë mbi ne, dhe të na marrë si skllevër, dhe të marrë gomarët tanë".
19 Kështu, iu afruan burrit që ishte përgjegjës mbi shtëpinë e Jozefit dhe i folën te hyrja e shtëpisë,
20 dhe thanë: "Oh imzot, vërtet zbritëm herën e parë për të blerë ushqim,
21 por ndodhi që, kur arritëm në bujtinë dhe hapëm hararët tanë, ja, paraja e secilit ishte në grykën e hararit të tij, paraja jonë sipas peshës së saj, dhe e kemi sjellë përsëri me dorën tonë.
22 Kemi sjellë edhe para tjetër në dorën tonë për të blerë ushqim. Nuk e dimë kush e vuri paranë tonë në hararët tanë".
23 Dhe ai tha: "Paqja me ju, mos u frikësoni! Perëndia juaj dhe Perëndia i atit tuaj ju ka dhënë një thesar në hararët tuaj; paranë tuaj unë e kam marrë". Pastaj ua nxori Simeonin.
24 Atëherë ai i futi burrat në shtëpinë e Jozefit dhe u dha ujë, dhe ata lanë këmbët; dhe u dha forazh gomarëve të tyre.
25 Dhe ata bënë gati dhuratën për kur të vinte Jozefi në drekë, sepse kishin dëgjuar që aty do të hanin bukë.
26 Atëherë Jozefi erdhi në shtëpi dhe ata sollën në shtëpi dhuratën për të që kishin në dorën e tyre, dhe ranë përmbys përtokë para tij.
27 Dhe ai i pyeti ata për mirëqenien e tyre dhe tha: "A është mirë ati juaj, plaku për të cilin më keni folur? A është ende gjallë?".
28 Dhe ata thanë: "Skllavi yt, ati ynë, është mirë; ai është ende gjallë". Pastaj u përkulën dhe ranë përmbys.
29 Dhe Jozefi ngriti sytë dhe pa Beniaminin, vëllain e tij, birin e nënës së tij, dhe tha: "A është ky vëllai juaj i vogël, për të cilin më keni folur?". Dhe tha: "Perëndia qoftë i hirshëm me ty, biri im!".
30 Atëherë Jozefi nxitoi të largohej, sepse u mallëngjye thellë për vëllain e tij, dhe kërkoi një vend për të qarë. Dhe hyri në dhomën e tij e qau atje.
31 Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe e përmbajti veten e tha: "Shtroni bukën!".
32 Atëherë shtruan veçmas për të dhe veçmas për ata, dhe veçmas për egjiptasit që hanin me të (se egjiptasit nuk mund të hanë bukë me hebrenjtë, sepse kjo është neveri për egjiptasit.)
33 Dhe ata u ulën përpara tij, i parëlinduri sipas parabirnisë së tij dhe i riu sipas moshës së tij të re; dhe burrat shikonin të shtangur njëri-tjetrin.
34 Dhe ai u dërgoi atyre racione nga tryeza e tij, por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh sesa racioni i gjithë atyre. Dhe ata pinë e u bënë në qejf bashkë me të.
Të gjithë librat
