Zanafilla 42
1 Dhe Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt. Atëherë Jakobi u tha bijve të tij: "Përse shikoni njëri-tjetrin?".
2 Pastaj tha: "Ja, kam dëgjuar se ka grurë në Egjipt. Zbritni atje dhe blini grurë për ne prej atje, që të jetojmë dhe të mos vdesim".
3 Kështu, dhjetë vëllezërit e Jozefit zbritën për të blerë grurë nga Egjipti.
4 Por Beniaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi bashkë me vëllezërit e tij, sepse tha: "Se mos i ndodh ndonjë dëm".
5 Kështu, në mesin e atyre që po vinin, erdhën edhe bijtë e Izraelit për të blerë grurë, sepse zia e bukës pllakosi në tokën e Kanaanit.
6 Tani, Jozefi ishte qeveritari mbi atë vend; vetë ishte ai që i shiste grurë gjithë popullit të vendit. Dhe vëllezërit e Jozefit erdhën dhe ranë përmbys para tij me fytyrë drejt tokës.
7 Dhe Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu, por u soll si i huaj ndaj tyre dhe foli ashpër me ta. Dhe u tha atyre: "Prej nga keni ardhur?". Dhe ata thanë: "Nga toka e Kanaanit, për të blerë ushqim".
8 Dhe Jozefi i njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën.
9 Dhe Jozefi kujtoi ëndrrat që kishte parë për ta dhe u tha atyre: "Ju jeni spiunë! Keni ardhur për të parë pjesët e pambrojtura të vendit".
10 Dhe ata i thanë: "Jo, imzot, por skllevërit e tu kanë ardhur për të blerë ushqim.
11 Të gjithë ne jemi bijtë e vetëm një burri. Ne jemi të ndershëm; nuk janë skllevërit e tu spiunë".
12 Por ai u tha atyre: "Jo! Përkundrazi, keni ardhur për të parë pjesët e pambrojtura të vendit".
13 Atëherë ata thanë: "Skllevërit e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bijtë e një burri në tokën e Kanaanit; dhe ja, i vogli është sot me atin tonë, ndërsa njëri nuk është më".
14 Dhe Jozefi u tha atyre: "Është ashtu siç ju thashë duke thënë: ju jeni spiunë!
15 Me këtë do të viheni në provë: për jetën e faraonit, nuk do të dilni prej këtej, veç nëse vëllai juaj i vogël vjen këtu.
16 Dërgoni njërin prej jush që të marrë vëllain tuaj, ndërsa ju duhet të mbaheni të burgosur, që të vihen në provë fjalët tuaja, nëse ka të vërtetë në ju. Përndryshe, për jetën e faraonit që ju jeni spiunë!".
17 Kështu, i vuri bashkë ata në arrest për tri ditë.
18 Dhe në ditën e tretë Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe jetoni, sepse unë vetë e kam frikë Perëndinë:
19 Nëse ju jeni të ndershëm, një vëlla i juaji le të mbahet i burgosur në shtëpinë ku jeni në arrest, kurse ju të tjerët shkoni dhe shpini grurë për urinë e shtëpive tuaja.
20 Pastaj vëllain tuaj të vogël silleni tek unë, që të jenë të besueshme fjalët tuaja dhe që ju të mos vdisni". Dhe ata bënë kështu.
21 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: "Ne jemi vërtet fajtorë për vëllain tonë, ngaqë e pamë ngushticën e shpirtit të tij, kur ai na përgjërohej, por nuk e dëgjuam; prandaj ka ardhur mbi ne kjo ngushticë".
22 Dhe Rubeni iu përgjigj atyre, duke thënë: "A nuk ju fola duke thënë: 'Mos mëkatoni kundër djalit'? Por ju nuk dëgjuat. Kështu tani, ja, po kërkohet llogari për gjakun e tij".
23 (Tani, ata nuk e dinin që Jozefi po i kuptonte, sepse kishte një përkthyes ndërmjet tyre dhe atij).
24 Dhe ai u largua prej tyre dhe qau. Pastaj u kthye tek ata dhe u foli atyre. Atëherë mori prej tyre Simeonin dhe e lidhi para syve të tyre.
25 Dhe Jozefi urdhëroi që të mbusheshin thasët e tyre me grurë dhe që t'i ktheheshin paratë e tyre secilit në thesin e tij, si dhe që t'u jepej atyre furnizim për rrugën. Dhe kështu u bë për ta.
26 Dhe ata e ngarkuan grurin e tyre mbi gomarët dhe u nisën prej atje.
27 Pastaj, njëri prej tyre hapi thesin e tij për t'i dhënë forazh gomarit të vet në bujtinën ku ndaluan dhe pa paranë e vet; dhe ja, ajo ishte në grykën e hararit të tij.
28 Atëherë u tha vëllezërve të tij: "Paraja ime është rikthyer dhe madje, ja, është në hararin tim!". Dhe atyre u ngriu zemra dhe u drodhën, duke i thënë njëri-tjetrit: "Çfarë është kjo që na bëri Perëndia?".
29 Dhe ata erdhën te Jakobi, ati i tyre, në tokën e Kanaanit dhe i treguan atij gjithçka që u kishte ndodhur, duke thënë:
30 "Burri që është zotëria i vendit, foli ashpër me ne dhe na mori për spiunë të vendit.
31 Por ne i thamë: 'Ne jemi të ndershëm; nuk jemi spiunë.
32 Jemi dymbëdhjetë vëllezër, bijtë e atit tonë; njëri nuk është më dhe i vogli është sot me atin tonë në tokën e Kanaanit.'
33 Dhe burri që është zotëria i vendit, na tha: 'Me këtë do ta di që jeni të ndershëm: njërin nga vëllezërit tuaj lëreni me mua, ndërsa për urinë e shtëpive tuaja merrni grurë dhe shkoni.
34 Pastaj silleni vëllain tuaj të vogël tek unë, që ta di se nuk jeni spiunë, por jeni të ndershëm. Do t'jua kthej vëllain tuaj dhe ju do të bëni tregti në këtë vend'".
35 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po zbraznin thasët e tyre, ja, secili kishte qesen e parasë së vet në thesin e vet. Kështu, ata dhe ati i tyre panë qeset e parave të tyre dhe u frikësuan.
36 Dhe Jakobi, ati i tyre, u tha atyre: "Më keni lënë pa fëmijë! Jozefi nuk është më, dhe Simeoni nuk është më, dhe tani doni të merrni Beniaminin! Kundër meje janë gjithë këto gjëra!".
37 Atëherë Rubeni i foli të atit, duke thënë: "Të dy bijtë e mi bëji të vdesin, nëse nuk do ta sjell te ti. Vëre atë në dorën time dhe unë vetë do ta kthej te ti".
38 Por ai tha: "Biri im nuk do të zbresë me ju, sepse vëllai i tij ka vdekur dhe vetëm ai ka mbetur. Nëse i ndodh ndonjë dëm gjatë rrugës në të cilën do të shkoni, do t'i zbrisni thinjat e mia me pikëllim në Sheol".
Të gjithë librat
