Zanafilla 41
1 Dhe ndodhi që, në fund të dy viteve të plota, Faraoni pa një ëndërr; dhe ja, ai po qëndronte ndanë Nilit.
2 Dhe ja, nga Nili po dilnin shtatë lopë të hijshme nga pamja dhe të majme në trup, dhe po kullotnin nëpër xunkth.
3 Por ja, shtatë lopë të tjera po dilnin mbas tyre nga Nili, të shëmtuara nga pamja dhe thatime në trup, dhe qëndruan pranë lopëve të tjera mbi bregun e Nilit.
4 Dhe lopët e shëmtuara nga pamja dhe thatime në trup, i hëngrën shtatë lopët e hijshme nga pamja dhe të majme. Atëherë Faraoni u zgjua.
5 Pastaj ra të flinte dhe pa një ëndërr të dytë; dhe ja, shtatë kallinj të mbushur dhe të mirë po dilnin nga një kërcell i vetëm.
6 Dhe ja, shtatë kallinj të hollë dhe të zhuritur nga era lindore po mbinin mbas tyre.
7 Dhe kallinjtë e hollë i përpinë shtatë kallinjtë e mbushur dhe të plotë. Pastaj faraoni u zgjua; dhe ja, ishte ëndërr.
8 Dhe ndodhi që, në mëngjes, fryma e tij u shqetësua dhe ai dërgoi e thirri gjithë magjistarët e Egjiptit dhe gjithë të urtët e tij. Dhe faraoni ua kallëzoi atyre ëndrrat e tij, por nuk kishte asnjë që t'ia interpretonte ato faraonit.
9 Atëherë kreu i kupëmbajtësve i foli faraonin, duke thënë: "Unë po kujtoj sot fajet e mia.
10 Faraoni u nxeh me shërbëtorët e tij dhe më vuri në arrest në shtëpinë e komandantit të truprojave, mua dhe kreun e bukëpjekësve.
11 Dhe ne pamë një ëndërr në të njëjtën natë, unë dhe ai; secili pamë nga një ëndërr sipas interpretimit të ëndrrës së vet.
12 Tani, atje me ne ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojave, dhe ne ia kallëzuam atij ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi; secilit ia interpretoi sipas ëndrrës së vet.
13 Dhe ndodhi që, ashtu siç na i interpretoi ëndrrat, kështu ndodhi: faraoni mua më riktheu në vendim tim, ndërsa atë e vari".
14 Atëherë Faraoni dërgoi njerëz dhe thirri Jozefin; dhe ata e nxorën me nxitim nga biruca. Pastaj ai u rrua dhe ndërroi rrobat e tij, dhe hyri te faraoni.
15 Dhe faraoni i tha Jozefit: "Kam parë një ëndërr, por nuk ka asnjë që e interpreton atë. Tani, unë dëgjova për ty të thuhet se, kur dëgjon një ëndërr, mund ta interpretosh atë".
16 Dhe Jozefi iu përgjigj Faraonit, duke thënë: "Nuk kam të bëj unë! Perëndia do të përgjigjet lidhur me mirëqenien e faraonit".
17 Atëherë faraoni i foli Jozefit: "Në ëndrrën time, ja, unë po qëndroja mbi bregun e Nilit.
18 Dhe ja, nga Nili po dilnin shtatë lopë të majme në trup dhe të hijshme nga forma, dhe po kullotnin nëpër xunkth.
19 Por ja, shtatë lopë të tjera po dilnin mbas tyre, të dobëta dhe shumë të shëmtuara nga forma, si dhe rrëgjake në trup; nuk kam parë lopë si ato për nga shëmtia në gjithë tokën e Egjiptit.
20 Dhe lopët rrëgjake dhe të shëmtuara i hëngrën shtatë lopët e para të majme.
21 Dhe ato hynë në barkun e tyre, por nuk dihej që kishin hyrë në barkun e tyre, sepse pamja e tyre ishte e shëmtuar sikurse në fillim. Atëherë u zgjova.
22 Pastaj pashë në ëndrrën time dhe ja, shtatë kallinj të plotë dhe të mirë po dilnin nga një kërcell i vetëm.
23 Dhe ja, shtatë kallinj të fishkur, të hollë dhe të zhuritur nga era lindore po mbinin mbas tyre.
24 Dhe kallinjtë e hollë i gëlltitën shtatë kallinjtë e mirë. Atëherë ua thashë magjistarëve, por nuk ka asnjë që mund të ma shpjegojë".
25 Atëherë Jozefi i tha faraonit: "Ëndrrat e faraonit janë një e vetme. Perëndia i ka treguar faraonit atë që do të bëjë.
26 Shtatë lopët e mira janë shtatë vjet dhe shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet; ëndrrat janë një e vetme.
27 Tani, shtatë lopët rrëgjake dhe të shëmtuara që dolën mbas tyre, janë shtatë vjet; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të zhuritur nga era lindore do të jenë shtatë vjet zi buke.
28 Kjo është gjëja që i thashë faraonit: Perëndia ia ka shfaqur faraonit atë që do të bëjë.
29 Ja, po vijnë shtatë vjet me bollëk të madh në gjithë tokën e Egjiptit,
30 por mbas tyre do të vijnë shtatë vjet zi buke dhe gjithë bollëku në tokën e Egjiptit do të harrohet. Kështu zia e bukës do ta shkretojë vendin
31 dhe bollëku nuk do të njihet më në vend, për shkak të asaj zie buke që do të vijë më pas, sepse ajo do të jetë shumë e rëndë.
32 Tani, lidhur me përsëritjen e ëndrrës që iu bë faraonit dy herë, kjo do të thotë se gjëja është vendosur nga ana e Perëndisë dhe Perëndia do ta bëjë së shpejti.
33 Dhe tani, faraoni le të shikojë për një burrë të zgjuar dhe të urtë dhe ta vendosë mbi tokën e Egjiptit.
34 Faraoni le të veprojë dhe të caktojë mbikëqyrës mbi vend, dhe të marrë një të pestën e prodhimit të tokës së Egjiptit gjatë shtatë viteve të bollëkut.
35 Pastaj ata le ta mbledhin gjithë ushqimin e këtyre viteve të mira që po vijnë dhe të grumbullojnë grurë nën pushtetin e faraonit si ushqim në qytete dhe ta ruajnë.
36 Dhe ushqimi do të jetë si tëmotje për vendin për shtatë vitet e zisë së bukës që do të jenë në tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të zhbihet gjatë zisë së bukës".
37 Dhe kjo gjë qe e mirë në sytë e faraonit dhe në sytë e gjithë shërbëtorëve të tij.
38 Dhe faraoni u tha shërbëtorëve të tij: "A mund të gjejmë një burrë si ky, në të cilin është fryma e Perëndisë?".
39 Atëherë faraoni i tha Jozefit: "Meqenëse Perëndia ta ka bërë të njohur ty gjithë këtë, nuk ka asnjë të zgjuar dhe të urtë si ti.
40 Ti vetë do të jesh mbi shtëpinë time dhe me urdhrin tënd do të drejtohet gjithë populli im; vetëm për fronin do të jem më i madh se ti".
41 Dhe faraoni i tha Jozefit: "Shiko, ty të kam vënë mbi gjithë tokën e Egjiptit".
42 Pastaj faraoni hoqi unazën e tij me vulë nga dora dhe e vuri në dorën e Jozefit, si dhe e veshi me rroba prej liri të hollë dhe i vuri një zinxhir ari rreth qafës.
43 Atëherë e hipi në karrocën e tij të dytë dhe thirrën përpara tij: "Bini në gjunjë!". Kështu, faraoni e vuri atë mbi gjithë tokën e Egjiptit.
44 Gjithashtu, faraoni i tha Jozefit: "Unë jam faraoni, por pa lejen tënde asnjeri nuk do të ngrejë dorën e tij ose këmbën e tij në gjithë tokën e Egjiptit".
45 Dhe faraoni ia vuri Jozefit emrin Cafnat Paneah dhe i dha për grua Asenatën, bijën e Poti-Ferait, priftit të Onit. Dhe Jozefi doli mbi tokën e Egjiptit.
46 Tani, Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur qëndroi përpara faraonit, mbretit të Egjiptit. Dhe Jozefi doli nga prania e faraonit dhe kaloi nëpër gjithë tokën e Egjiptit.
47 Dhe gjatë shtatë viteve të bollëkut toka prodhoi me shumicë.
48 Kështu, Jozefi mblodhi gjithë ushqimin e shtatë viteve që qenë në tokën e Egjiptit dhe e vuri ushqimin në qytete. Ushqimin e fushave të çdo qyteti, që ishin përreth tij, ai e vuri brenda tij.
49 Dhe Jozefi grumbulloi grurë në sasi të madhe, si rëra e detit, derisa ndaloi së mbajturi llogari, sepse ishte i pallogaritshëm.
50 Tani, Jozefit i lindën dy bij para se të vinte viti i zisë së bukës, të cilët ia lindi atij Asenata, bija e Poti-Ferait, priftit të Onit.
51 Dhe Jozefi ia vuri të parëlindurit emrin Manase, sepse tha: "Perëndia më bëri të harroj gjithë mundimin tim dhe gjithë shtëpinë e atit tim".
52 Ndërsa të dytit ia vuri emrin Efraim, sepse tha: "Perëndia më bëri të frytshëm në tokën e mjerimit tim".
53 Pastaj përfunduan shtatë vitet e bollëkut që qe në tokën e Egjiptit
54 dhe filluan të vinin shtatë vitet e zisë së bukës, sikurse kishte thënë Jozefi. Kështu, pati zi buke në të gjitha vendet, por në gjithë tokën e Egjiptit kishte bukë.
55 Atëherë, gjithë toka e Egjiptit u urit dhe populli i këlthiti faraonit për bukë. Dhe faraoni u tha gjithë egjiptasve: "Shkoni te Jozefi; atë që do t'ju thotë juve do të bëni".
56 Tani, zia e bukës pllakosi mbi gjithë faqen e tokës dhe Jozefi hapi të gjitha depot dhe u shiti grurë egjiptasve; dhe zia e bukës qe e rëndë në tokën e Egjiptit.
57 Dhe nga gjithë toka erdhën njerëz në Egjipt për të blerë grurë te Jozefi, sepse zia e bukës qe e rëndë në gjithë tokën.
Të gjithë librat
