Zanafilla 40
1 Dhe ndodhi që, mbas këtyre gjërave, kupëmbajtësi i mbretit të Egjiptit dhe bukëpjekësi, bënë faj ndaj zotërisë së tyre, ndaj mbretit të Egjiptit.
2 Kështu, faraoni u zemërua me dy ofiqarët e tij, me kreun e kupëmbajtësve dhe me kreun e bukëpjekësve,
3 dhe i vuri ata në arrest në shtëpinë e kreut të truprojave, në burg, te vendi ku Jozefi ishte i burgosur.
4 Dhe komandanti i truprojave e caktoi Jozefin si përgjegjës të tyre dhe ai u shërbeu atyre; dhe ata qëndruan disa ditë në arrest.
5 Pastaj të dy ata, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi që piqte për mbretin e Egjiptit, të cilët ishin të burgosur në burg, panë një ëndërr, secili ëndrrën e vet, në të njëjtën natë, secili me interpretimin e ëndrrës së vet.
6 Dhe Jozefi erdhi tek ata në mëngjes dhe i pa, dhe, ja, ata ishin të ligështuar.
7 Atëherë i pyeti ofiqarët e faraonit, që ishin me të në arrest në shtëpinë e zotërisë së tij, duke thënë: "Përse fytyrat tuaja janë të trishtuara sot?".
8 Dhe ata i thanë atij: "Kemi parë nga një ëndërr, por nuk ka asnjë që i interpreton ato". Dhe Jozefi u tha atyre: "A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?! M'i kallëzoni mua, ju lutem!".
9 Dhe kreu i kupëmbajtësve ia kallëzoi ëndrrën e tij Jozefit dhe i tha: "Isha në ëndrrën time dhe ja, ishte një hardhi përpara meje
10 dhe në hardhi kishte tri degë. Dhe sapo ajo po bulëzonte, nxori biskun e saj dhe vilet e saj të rrushit u poqën.
11 Tani, kupa e faraonit ishte në dorën time dhe unë mora rrushin dhe e shtrydha në kupën e faraonit. Pastaj e vura kupën në dorën e faraonit".
12 Dhe Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i saj: tri degët janë tri ditë.
13 Brenda tri ditësh faraoni do ta ngrejë kokën tënde dhe do të të rikthejë në vendin tënd; dhe ti do të vësh kupën e faraonit në dorën e tij, sipas zakonit të mëparshëm, kur ishe kupëmbajtësi i tij.
14 Veçse më kujto kur të të bëhet mirë dhe trego, të lutem, besëmirësi me mua. Kështu, më përmend te faraoni dhe më nxirr nga kjo shtëpi.
15 Se në të vërtetë, unë jam rrëmbyer nga toka e hebrenjve; por edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të më fusnin në birucë.
16 Dhe kreu i bukëpjekësve pa se ishte bërë interpretim i mirë i ëndrrës dhe i tha Jozefit: "Edhe unë isha në ëndrrën time dhe ja, tri shporta me bukë të bardhë ishin mbi kokën time
17 dhe në shportën më të sipërme kishte nga të gjitha ushqimet e faraonit që janë punime bukëpjekësi, por shpendët po i hanin ato nga shporta që ishte përsipër kokës sime".
18 Dhe Jozefi u përgjigj dhe tha: "Ky është interpretimi i saj: tri shportat janë tri ditë.
19 Brenda tri ditësh faraoni do ta ngrejë kokën tënde dhe do ta heqë prej teje, dhe do të të varë në një pemë; dhe shpendët do të hanë mishin tënd nga trupi yt".
20 Dhe ndodhi që, në ditën e tretë, që ishte ditëlindja e faraonit, ai bëri një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe ngriti kokën e kreut të kupëmbajtësve dhe kokën e kreut të bukëpjekësve në mes të shërbëtorëve të tij.
21 Atëherë faraoni e riktheu kreun e kupëmbajtësve në vendin e tij si kupëmbajtës dhe ai e vuri kupën në dorën e faraonit,
22 ndërsa kreun e bukëpjekësve e vari, ashtu siç ua kishte interpretuar ëndrrën Jozefi.
23 Megjithatë kreu i kupëmbajtësve nuk e kujtoi Jozefin, por e harroi.
Të gjithë librat
