Zanafilla 4
1 Tani, njeriu njohu Evën, gruan e tij, dhe ajo u ngjiz dhe lindi Kainin. Dhe ajo tha: "Fitova një burrë me ndihmën e Jahveh-ut".
2 Dhe përsëri, ajo lindi vëllain e tij, Abelin. Dhe Abeli qe bari dhensh, ndërsa Kaini qe punues i tokës.
3 Dhe ndodhi që, me kalimin e ditëve, Kaini solli nga fryti i tokës një blatim për Jahveh-un.
4 Edhe Abeli, nga ana e vet, solli nga të parëlindurit e grigjës së tij dhe nga pjesët e dhjamosura të tyre. Dhe Jahveh-u hodhi shikimin me pëlqim nga Abeli dhe nga blatimi i tij,
5 por nga Kaini dhe nga blatimi i tij nuk e hodhi shikimin me pëlqim. Dhe Kaini u nxeh shumë, dhe iu ngrys fytyra.
6 Dhe Jahveh-u i tha Kainit: "Përse je nxehur dhe përse të është ngrysur fytyra?
7 Nëse bën mirë, a nuk do të të çelet fytyra? Por nëse nuk bën mirë, mëkati është kruspulluar te dera dhe dëshirimi i tij është ndaj teje; por ti duhet të sundosh mbi të".
8 Atëherë Kaini i foli Abelit, vëllait të tij, dhe ndodhi që, kur ata ishin në fushë, u ngrit Kaini kundër Abelit, vëllait të tij, dhe e vrau.
9 Dhe Jahveh-u i tha Kainit: "Ku është Abeli, vëllai yt?". Dhe ai tha: "Nuk e di. A jam rojtari i vëllait tim unë?!".
10 Dhe ai tha: "Çfarë bëre?! Zëri i gjakut të vëllait tënd po këlthet drejt meje nga toka.
11 Dhe tani, ti je i mallkuar nga toka që hapi gojën e saj për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote.
12 Kur të punosh tokën, nuk do të të japë më ty forcën e saj. Bredharak dhe endacak do të jesh mbi tokë".
13 Dhe Kaini i tha Jahveh-ut: "Ndëshkimi im është më i madh nga ç'mund të mbaj!
14 Ja, ti më dëbove mua sot nga faqja e dheut dhe unë duhet të fshihem nga prania jote. Dhe do të jem bredharak dhe endacak mbi tokë, dhe do të ndodhë që, kushdo që më gjen, do të më vrasë".
15 Dhe Jahveh-u i tha: "Prandaj, kushdo që vret Kainin, shtatëfish do të merret hak ndaj tij". Atëherë Jahveh-u i vuri Kainit një shenjë që të mos ta godiste atë kushdo që ta gjente.
16 Dhe Kaini u largua nga prania e Jahveh-ut dhe banoi në tokën e Nodit, në lindje të Edenit.
17 Dhe Kaini njohu gruan e tij dhe ajo u ngjiz, dhe lindi Enokun. Dhe kur Kaini po ndërtonte një qytet, atëherë ia vuri emrin qytetit si emri i birit të tij, Enok.
18 Dhe Enokut i lindi Iradi, dhe Iradit i lindi Mehujaeli, dhe Mehujaelit i lindi Metushaeli, dhe Metushaelit i lindi Lameku.
19 Dhe Lameku mori për vete dy gra; emri i së parës ishte Ada dhe emri i së dytës Cilah.
20 Dhe Ada lindi Jabalin; ai qe ati i atyre që banojnë në çadra dhe merren me bagëti.
21 Dhe emri i vëllait të tij ishte Jubal; ai qe ati i gjithë atyre që i bien qestes dhe fyellit.
22 Edhe Cilah, nga ana e vet, lindi Tubal-Kainin, farkëtuesin e çdo punimi prej bronzi dhe hekuri; dhe motra e Tubal-Kainit ishte Naama.
23 Dhe Lameku u tha grave të tij: "O Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim. O gra të Lamekut, vërjani veshin thënies sime. Se vrava një burrë ngaqë më plagosi, edhe një djalosh ngaqë më goditi.
24 Nëse i merret hak shtatëfish Kainit, atëherë Lamekut shtatëdhjetë e shtatë herë".
25 Dhe Adami njohu përsëri gruan e tij, dhe ajo lindi një bir. Dhe ajo ia vuri emrin Set, se tha: "Më caktoi Perëndia një pasardhës tjetër në vend të Abelit, sepse Kaini e vrau".
26 Edhe Setit, nga ana e vet, i lindi një bir dhe ia vuri emrin Enosh. Në atë kohë njerëzia filloi që të thërrasë emrin e Jahveh-ut.
Të gjithë librat
