Zanafilla 39
1 Tani, Jozefi u soll poshtë në Egjipt dhe Potifari, një ofiqar i faraonit, komandant i truprojave, që ishte egjiptas, e bleu nga dora e ishmaelitëve që e kishin zbritur atje.
2 Dhe Jahveh-u qe me Jozefin dhe ai u bë një njeri që kishte mbarësi; dhe ai rrinte në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptas.
3 Dhe zotëria i tij pa se Jahveh-u ishte me Jozefin dhe se gjithçka që ai bënte, Jahveh-u e bënte të mbarë në dorën e tij.
4 Kështu, Jozefi gjeti hir në sytë e tij dhe i shërbente atij; dhe ai e caktoi përgjegjës mbi shtëpinë e vet dhe gjithçka që kishte e dha në dorën e tij.
5 Dhe ndodhi që, qëkurse ai e caktoi atë përgjegjës në shtëpinë e vet dhe mbi gjithçka që kishte, Jahveh-u e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit. Kështu, bekimi i Jahveh-ut qe në gjithçka që kishte, në shtëpi dhe në fushë.
6 Dhe Potifari la në dorën e Jozefit gjithçka që kishte dhe, me të aty, nuk donte t'ia dinte për asgjë, përveç bukës që ai hante. Dhe Jozefi ishte i bukur nga forma dhe i bukur nga pamja.
7 Dhe ndodhi që, mbas këtyre gjërave, gruaja e zotërisë së tij i hodhi sytë mbi Jozefin dhe i tha: "Shtrihu me mua!".
8 Por ai refuzoi dhe i tha gruas së zotërisë së tij: "Ja, me mua këtu, zotëria im nuk do t'ia dijë për çfarë bëhet në shtëpi dhe gjithçka që ka e ka dhënë në dorën time.
9 Askush nuk është më i madh se unë në këtë shtëpi dhe ai nuk më ka ndaluar asgjë përveç teje, ngaqë ti je gruaja e tij. E si mund ta bëj këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoj kundër Perëndisë?".
10 Dhe ndodhi që, ndërsa ajo i fliste Jozefit ditë për ditë, ai nuk e dëgjoi që të shtrihej pranë saj apo të ishte me të.
11 Dhe ndodhi që, një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, por asnjëri nga burrat e shtëpisë nuk ishte aty në shtëpi.
12 Atëherë ajo e kapi nga rroba e tij, duke thënë: "Shtrihu me mua!". Por ai e la rrobën e tij në dorën e saj dhe ia mbathi, dhe doli përjashta.
13 Dhe ndodhi që, sapo ajo pa se ai e la rrobën e tij në dorën e saj dhe ia mbathi përjashta,
14 u thirri burrave të shtëpisë së saj dhe u foli atyre, duke thënë: "Shikoni! Na ka sjellë një hebre që të luajë me ne. Ai erdhi tek unë që të shtrihej me mua dhe unë thirra me zë të lartë.
15 Dhe ndodhi që, sapo ai dëgjoi që unë ngrita zërin lart dhe thirra, e la rrobën e tij pranë meje dhe ia mbathi, dhe doli përjashta".
16 Dhe ajo e vendosi rrobën e tij pranë vetes, derisa erdhi zotëria i tij në shtëpi.
17 Atëherë ajo i foli atij me këto fjalë, duke thënë: "Skllavi hebre që na ke sjellë, erdhi tek unë për të luajtur me mua.
18 Dhe ndodhi që, sapo unë ngrita zërin lart dhe thirra, ai e la rrobën e tij pranë meje dhe ia mbathi përjashta".
19 Dhe ndodhi që, sapo zotëria i tij dëgjoi fjalët e gruas së vet, të cilat ajo ia shprehu atij, duke thënë: "Kështu ma bëri skllavi yt", u ndez zemërimi i tij.
20 Atëherë zotëria i Jozefit e mori atë dhe e futi në burg, në vendin ku mbaheshin të burgosurit e mbretit; dhe ai mbeti aty në burg.
21 Por Jahveh-u qe me Jozefin dhe shfaqi ndaj tij besëmirësi, dhe i dha hir në sytë e komandantit të burgut.
22 Kështu, komandanti i burgut i dha në dorën e Jozefit gjithë të burgosurit që ishin në burg; dhe gjithçka që bëhej aty, qe ai që e bënte.
23 Komandanti i burgut nuk kontrollonte asnjë gjë që ishte në dorën e Jozefit, ngaqë Jahveh-u ishte me Jozefin dhe çfarëdo që ai bënte, Jahveh-u e bënte të mbarë.
Të gjithë librat
