Zanafilla 38
1 Dhe ndodhi që, në atë kohë, Juda zbriti nga vëllezërit e tij dhe u kthye te një burrë adulamit; dhe emri i tij ishte Hirah.
2 Dhe Juda pa atje bijën e një burri kanaanit, dhe emri i tij ishte Shua; dhe Juda e mori dhe hyri tek ajo.
3 Atëherë ajo u ngjiz dhe lindi një bir; dhe ai ia vuri emrin Er.
4 Pastaj ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një bir; dhe ajo ia vuri emrin Onan.
5 Dhe përsëri ajo lindi edhe një bir, dhe ajo ia vuri emrin Shelah. Dhe Juda ishte në Kezib kur ajo e lindi.
6 Dhe Juda mori një grua për Erin, të parëlindurin e tij, dhe emri i saj ishte Tamarë.
7 Por Eri, i parëlinduri i Judës, qe i keq në sytë e Jahveh-ut; dhe Jahveh-u e bëri të vdesë.
8 Atëherë Juda i tha Onanit: "Hyr te gruaja e vëllait tënd dhe kryej leviratin me të, dhe ngri një pasardhje për vëllain tënd".
9 Por Onani e dinte se pasardhja nuk do të ishte e tij. Kështu, ndodhte që, kur ai hynte te gruaja e vëllait të tij, e derdhte farën përtokë, që të mos i jepte pasardhje vëllait të tij.
10 Por kjo që bëri qe e keqe në sytë e Jahveh-ut; dhe ai e bëri të vdesë edhe atë.
11 Atëherë Juda i tha Tamarës, të resë së tij: "Rri vejushë në shtëpinë e atit tënd derisa të rritet Shelahu, biri im"; sepse thoshte me vete: "Se mos vdes edhe ai si vëllezërit e tij". Dhe Tamara shkoi e banoi në shtëpinë e atit të saj.
12 Dhe kaluan shumë ditë, dhe bija e Shuait, gruaja e Judës, vdiq. Pastaj Juda u ngushëllua dhe u ngjit te qethësit e dhenve të tij në Timnah, ai dhe Hirahu, miku i tij adulamit.
13 Dhe kjo iu tregua Tamarës, duke thënë: "Ja, vjehrri yt po ngjitet në Timnah për të qethur dhentë e tij".
14 Atëherë ajo hoqi prej vetes rrobat e vejërisë së saj dhe u mbulua me një vel, dhe u mbështoll. Pastaj u ul në hyrjen e Enaimit, që është në rrugën drejt Timnahut; sepse ajo kishte parë që Shelahu ishte rritur, por ajo nuk i ishte dhënë atij për grua.
15 Dhe Juda e pa, dhe mendoi se ajo ishte prostitutë, sepse e kishte mbuluar fytyrën.
16 Atëherë u kthye drejt saj pranë rrugës dhe tha: "Eja, të lutem, më lër të hyj te ti"; sepse ai nuk e dinte që ajo ishte e reja e tij. Dhe ajo tha: "Çfarë do të më japësh që të hysh tek unë?"
17 Dhe ai tha: "Unë do të dërgoj një kec nga kopeja". Dhe ajo tha: "A do të më japësh një peng derisa ta dërgosh?".
18 Dhe ai tha: "Çfarë pengu do që të të jap?". Dhe ajo tha: "Vulën tënde dhe gjalmin tënd, dhe shkopin tënd që ke në dorë". Dhe ai ia dha asaj dhe hyri tek ajo; dhe ajo u ngjiz prej tij.
19 Pastaj ajo u çua dhe shkoi; dhe hoqi velin prej vetes, dhe veshi rrobat e vejërisë së saj.
20 Dhe Juda e dërgoi kecin me dorën e mikut të tij adulamit për të marrë pengun nga dora e gruas, por ai nuk e gjeti.
21 Atëherë pyeti burrat e vendit të saj, duke thënë: "Ku është ajo prostituta e kultit që ishte pranë rrugës në Enaim?". Dhe ata thanë: "Nuk ka qenë këtu ndonjë prostitutë kulti".
22 Atëherë ai u kthye te Juda dhe tha: "Nuk e gjeta; dhe madje burrat e vendit thanë: "Nuk ka qenë këtu ndonjë prostitutë kulti'".
23 Dhe Juda tha: "Le ta mbajë pengun për vete, përndryshe do të bëhemi objekt përçmimi. Ja, unë e dërgova këtë kec, por ti nuk e gjete".
24 Dhe ndodhi që, rreth tre muaj më vonë, Judës iu tregua kjo gjë, duke thënë: "Tamara, e reja jote, është kurvëruar dhe madje, ja, ka mbetur shtatzënë prej kurvërisë". Atëherë Juda tha: "Nxirreni jashtë dhe le të digjet!".
25 Ndërsa ajo po nxirrej jashtë, ajo i dërgoi fjalë vjehrrit të saj, duke thënë: "Prej burrit të cilit i përkasin këto unë mbeta shtatzënë". Dhe ajo tha: "Dallo, të lutem, se të kujt janë këto: vula dhe gjalmet, dhe shkopi".
26 Dhe Juda i dalloi dhe tha: "Ajo është më e drejtë se unë, duke qenë se nuk ia dhashë atë Shelahut, birit tim". Dhe ai nuk e njohu më atë.
27 Dhe ndodhi që, në kohën kur ajo do të lindte, ja, kishte binjakë në barkun e saj.
28 Dhe ndodhi që, ndërsa ajo po lindte, njëri nxori dorën; dhe mamia e kapi dhe i lidhi një fill alli në dorë, duke thënë: "Ky doli i pari".
29 Por ndodhi që, kur ai po tërhiqte dorën e tij, ja, doli vëllai i tij. Dhe ajo tha: "Çfarë çarjeje ke bërë për vete!". Atëherë iu vu emri Perec.
30 Dhe më pas doli vëllai i tij, që kishte në dorë fillin ngjyrë alli, dhe iu vu emri Zerah.
Të gjithë librat
