Zanafilla 37
1 Dhe Jakobi banoi në tokën e qëndrimeve si i huaj të atit të tij, në tokën e Kanaanit.
2 Këto janë breznitë e Jakobit. Jozefi shtatëmbëdhjetëvjeçar ishte duke kullotur grigjën bashkë me vëllezërit e tij, dhe ai ishte ende djalosh, bashkë me bijtë e Bilhës dhe me bijtë e Zilpës, gratë e atit të tij. Por Jozefi solli tek ati i tyre pëshpëritjet e këqija që qarkullonin për ta.
3 Tani, Izraeli e donte Jozefin më shumë se gjithë bijtë e tij, sepse ai ishte për të biri i pleqërisë, dhe i bëri një tunikë shumëngjyrëshe.
4 Dhe vëllezërit e tij panë se ati i tyre e donte atë më shumë se të gjithë vëllezërit e tij dhe, kështu, e urrenin dhe nuk mund t'i flisnin paqësisht.
5 Pastaj Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve të tij; dhe ata e urryen atë edhe më shumë.
6 Dhe ai u tha atyre: "Dëgjoni, ju lutem, këtë ëndërr që kam parë.
7 Dhe ja, ne po lidhnim duaj në mes të fushës; dhe ja, duaji im u ngrit dhe, gjithashtu, qëndroi drejt; dhe ja, duajt tuaj u mblodhën përreth dhe ranë përmbys para duajit tim".
8 Atëherë vëllezërit e tij i thanë: "A njëmend do të mbretërosh mbi ne? Apo njëmend do të sundosh mbi ne?". Dhe ata e urryen atë edhe më shumë për shkak të ëndrrave të tij dhe për shkak të fjalëve të tij.
9 Pastaj pa përsëri një ëndërr tjetër dhe ua kallëzoi atë vëllezërve të tij, dhe tha: "Ja, kam parë përsëri një ëndërr; dhe ja, dielli dhe hëna, dhe njëmbëdhjetë yje po binin përmbys para meje".
10 Dhe ai ia kallëzoi atit të tij dhe vëllezërve të tij; dhe ati i tij e qortoi, dhe i tha: "Çfarë është kjo ëndërr që ke parë? A njëmend do të vijmë unë dhe nëna jote, dhe vëllezërit e tu që të biem përmbys përtokë para teje?".
11 Dhe vëllezërit e tij u bënë xhelozë për të, por ati i tij e ruajti këtë fjalë në mendje.
12 Dhe vëllezërit e tij shkuan për të kullotur grigjën e atit të tyre në Shekem.
13 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "A nuk po kullotin grigjën vëllezërit e tu në Shekem?! Eja që të të dërgoj tek ata!". Dhe ai i tha: "Ja ku jam".
14 Atëherë ai i tha: "Shko tani dhe shiko për mirëqenien e vëllezërve të tu dhe për mirëqenien e grigjës, dhe më sill fjalë". Kështu, ai e dërgoi nga lugina e Hebronit dhe ai shkoi në Shekem.
15 Dhe një burrë e gjeti, dhe ja, ai po endej nëpër fushë. Dhe burri e pyeti, duke thënë: "Çfarë kërkon?".
16 Dhe ai tha: "Unë po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, të lutem, ku po kullotin grigjën ata".
17 Dhe burri tha: "Janë larguar prej këtu, sepse i dëgjova duke thënë: 'Le të shkojmë në Dotan'". Dhe Jozefi shkoi pas vëllezërve të tij, dhe i gjeti në Dotan.
18 Dhe ata e panë atë nga larg, dhe para se të afrohej tek ata, komplotuan kundër tij që ta vrisnin.
19 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: "Ja, po vjen ky ëndërrimtari!
20 Dhe tani, ejani ta vrasim dhe ta hedhim në një nga gropat, dhe do të themi: 'Një kafshë e egër e hëngri'. Pastaj do të shohim çfarë do të bëhet me ëndrrat e tij".
21 Por Rubeni e dëgjoi këtë dhe e liroi nga dora e tyre, dhe tha: "Mos t'ia marrim jetën".
22 Pastaj Rubeni u tha atyre: "Mos derdhni gjak! Hidheni te kjo gropa që është në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të" – me qëllim që ta lironte atë nga dora e tyre për ta kthyer tek ati i tij.
23 Dhe ndodhi që, sapo erdhi Jozefi te vëllezërit e tij, ata ia zhveshën Jozefit tunikën e tij, tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur,
24 dhe e morën, dhe e hodhën atë në gropë. (Tani, gropa ishte bosh; në të nuk kishte ujë).
25 Pastaj u ulën për të ngrënë bukë dhe ngritën sytë, dhe panë; dhe ja, një karvan ishmaelitësh po vinte nga Giladi; dhe devetë e tyre mbanin rrëshirë dhe balsam, dhe mirrë, duke shkuar rrugës për të zbritur në Egjipt.
26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë tonë dhe e fshehim gjakun e tij?
27 Ejani dhe t'ua shesim ishmaelitëve, por dora jonë të mos jetë kundër tij, sepse ai është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.
28 Atëherë kaluan aty disa tregtarë midianitë; dhe ata e tërhoqën Jozefin dhe e ngritën lart nga gropa, dhe ua shitën Jozefin ishmaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e çuan Jozefin në Egjipt.
29 Dhe Rubeni u kthye te gropa dhe, ja, Jozefi nuk ishte në gropë. Atëherë ai shqeu rrobat e veta.
30 Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është aty! Po unë, ku të shkoj unë?!".
31 Kështu, ata morën tunikën e Jozefit dhe therën një cjap, dhe e zhytën tunikën në gjak.
32 Pastaj e dërguan tunikën shumëngjyrëshe dhe ia sollën atit të tyre, dhe thanë: "Kemi gjetur këtë! Dalloje, të lutemi, nëse është tunika e birit tënd kjo apo jo".
33 Dhe ai e dalloi dhe tha: "Është tunika e birit tim! Një kafshë e egër e ka ngrënë. Jozefi është shqyer e bërë copash".
34 Atëherë Jakobi shqeu rrobat e tij dhe vuri një grathore rreth ijëve të tij, dhe vajtoi për birin e tij shumë ditë.
35 Dhe gjithë bijtë e tij dhe gjithë bijat e tij u çuan për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi që të ngushëllohej dhe tha: "Jo, do të zbres tek im bir në Sheol me vajtim". Dhe ati i tij e qau atë.
36 Tani, midianitët e shitën Jozefin në Egjipt; ia shitën Potifarit, një ofiqari të faraonit, komandant i truprojave.
Të gjithë librat
