Zanafilla 35
1 Dhe Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bet-El dhe bano atje; dhe bëj atje një altar për Perëndinë që t'u shfaq kur ti po ikje nga prania e Esaut, vëllait tënd".
2 Dhe Jakobi i tha shtëpisë së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: "Hiqni perënditë e huaja që janë midis jush dhe pastrohuni, dhe ndërroni rrobat tuaja.
3 Pastaj të çohemi e të ngjitemi në Bet-El, dhe atje do të bëj një altar për Perëndinë që m'u përgjigj në ditën e ngushticës sime dhe që qe me mua në rrugën që kam shkuar".
4 Kështu, ata ia dhanë Jakobit gjithë perënditë e huaja që kishin në duart e tyre dhe vathët që kishin në veshët e tyre, dhe Jakobi i fshehu ato poshtë lisit që ishte pranë Shekemit.
5 Atëherë ata nisën udhëtimin dhe lemeri nga Perëndia ra mbi qytetet që ishin përreth tyre, dhe ata nuk i ndoqën pas bijtë e Jakobit.
6 Dhe Jakobi erdhi në Luz (domethënë në Bet-El), që është në tokën e Kanaanit; ai dhe gjithë njerëzit që ishin me të.
7 Dhe atje ndërtoi një altar, dhe e quajti vendin El Bet-El, sepse atje i ishte zbuluar Perëndia, kur ai po ikte nga prania e vëllait të tij.
8 Dhe Debora, mëndesha e Rebekës, vdiq dhe u varros poshtë Bet-Elit, nën një lis; dhe iu vu emri Allon Bakut.
9 Dhe Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ai erdhi nga Padan Arami, dhe e bekoi.
10 Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; nuk do të thirret më emri yt Jakob, por Izrael do të jetë emri yt". Kështu, ai ia vuri emrin Izrael.
11 Dhe Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm. Ji i frytshëm dhe shumohu! Një komb dhe një bashkësi kombesh do të bëhen prej teje, dhe mbretër do të dalin prej ijëve të tua.
12 Dhe tokën që ia dhashë Abrahamit dhe Isakut, ty do të ta jap; edhe pasardhjes sate mbas teje do t'ia jap tokën".
13 Atëherë Perëndia u ngrit lart, sipër tij, nga vendi ku foli me të.
14 Dhe Jakobi ngriti një shtyllë në vendin ku Perëndia foli me të, një shtyllë guri, dhe derdhi mbi të një ofertë pijeje, derdhi edhe vaj mbi të.
15 Kështu, Jakobi ia vuri emrin vendit ku atje Perëndia foli me të, Bet-El.
16 Atëherë ata nisën udhëtimin nga Bet-Eli, dhe ndërsa kishte ende njëfarë largësie për të arritur në Efrata, Rakela lindi, por ajo pati vështirësi në lindje.
17 Kështu, ndodhi që, ndërsa ajo kishte vështirësi gjatë lindjes, mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe ky të ka lindur djalë".
18 Dhe ndodhi që, ndërsa po i dilte shpirti (sepse vdiq), ajo ia vuri emrin Ben-Oni; por i ati e quajti Beniamin.
19 Kështu, Rakela vdiq dhe u varros në rrugën për në Efrata (domethënë në Betlehem).
20 Dhe Jakobi ngriti një shtyllë mbi varrin e saj; ajo është shtylla e varrit të Rakelës deri sot.
21 Atëherë Izraeli nisi udhëtimin dhe e ngriti çadrën e tij përtej Migdal-Ederit.
22 Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi dhe u shtri me Bilhën, konkubinën e atit të tij; dhe Izraeli dëgjoi për këtë. Dhe bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë:
23 Bijtë e Leas: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, dhe Simeoni, dhe Levi, dhe Juda, dhe Isakari, dhe Zabuloni.
24 Bijtë e Rakelës: Jozefi dhe Beniamini.
25 Dhe bijtë e Bilhës, shërbëtores së Rakelës: Dani dhe Neftali.
26 Dhe bijtë e Zilpës, shërbëtores së Leas: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit, që i lindën në Padan Aram.
27 Dhe Jakobi erdhi tek Isaku, ati i tij, në Mamre, në Kirjat Arba (domethënë në Hebron), ku atje kishin banuar si ardhës Abrahami dhe Isaku.
28 Kështu, ditët e Isakut ishin njëqind e tetëdhjetë vjet.
29 Dhe Isaku dha grahmën dhe vdiq, dhe iu bashkua popullit të tij, plak dhe i ngopur me ditë. Pastaj atë e varrosën Esau dhe Jakobi, bijtë e tij.
Të gjithë librat
