Zanafilla 34
1 Dhe Dina, bija e Leas, të cilën ajo ia kishte lindur Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.
2 Dhe atë e pa Shekemi, biri i Hamorit, hivitit, prijësit të vendit. Dhe ai e mori atë dhe u shtri me të, dhe e përdhunoi.
3 Dhe shpirti i tij u lidh me Dinën, bijën e Jakobit, dhe ai e dashuroi të renë, dhe i foli zemrës së të resë.
4 Kështu, Shekemi i foli Hamorit, atit të tij, duke thënë: "Ma merr këtë vajzë për grua!".
5 Tani, Jakobi dëgjoi që Shekemi e kishte ndotur Dinën, bijën e tij, por bijtë e tij qenë me bagëtinë e tij në fushë. Kështu, Jakobi heshti derisa ata u kthyen.
6 Dhe Hamori, ati i Shekemit, doli dhe shkoi te Jakobi për të folur me të.
7 Tani, bijtë e Jakobit erdhën nga fusha sapo e dëgjuan këtë. Dhe burrat ishin të trishtuar dhe u nxehën shumë, sepse ai kishte bërë një turpëri në Izrael duke u shtrirë me bijën e Jakobit, gjë që nuk duhej bërë.
8 Por Hamori foli me ta, duke thënë: "Shpirti i Shekemit, birit tim, ka rënë në dashuri me bijën tuaj. Ju lutem, jepjani atij për grua.
9 Dhe lidhni martesë me ne; bijat tuaja na i jepni ne dhe bijat tona merrini ju.
10 Kështu, ju do të banoni me ne dhe toka do të jetë e hapur përpara jush. Banoni dhe bëni tregti në të, dhe kapuni në të".
11 Dhe Shekemi i tha atit të saj dhe vëllezërve të saj: "Le të gjej hir në sytë tuaj dhe çfarëdo që të më thoni do t'jua jap.
12 Ma shtoni më shumë edhe prikën dhe dhuratën dhe do ta jap ashtu siç do të më thoni, vetëm ma jepni të renë për grua".
13 Por bijtë e Jakobit iu përgjigjën Shekemit dhe Hamorit, atit të tij, me hile, dhe folën kështu ngaqë Shekemi kishte ndotur Dinën, motrën e tyre.
14 Dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, pra që t'ia japim motrën tonë një burri që është i parrethprerë, sepse kjo gjë do të ishte poshtërim për ne.
15 Vetëm me këtë kusht do të pranojmë lidhur me ju: nëse bëheni si ne, pra që të rrethpritet çdo mashkull që keni.
16 Atëherë do t'jua japim bijat tona juve dhe bijat tuaja do t'i marrim për vete, dhe do të banojmë me ju, dhe do të bëhemi një popull i vetëm.
17 Por nëse nuk na dëgjoni, pra që të rrethpriteni, atëherë do ta marrim bijën tonë dhe do të shkojmë".
18 Dhe fjalët e tyre u dukën të mira në sytë e Hamorit dhe në sytë e Shekemit, birit të Hamorit.
19 Dhe i riu nuk vonoi ta bënte këtë gjë, sepse kishte gjetur kënaqësi në bijën e Jakobit. Tani, ai ishte më i nderuari në gjithë shtëpinë e atit të tij.
20 Atëherë Hamori dhe Shekemi, biri i tij, erdhën te porta e qytetit të tyre dhe u folën burrave të qytetit të tyre, duke thënë:
21 "Këta burra janë paqësorë me ne; prandaj le të banojnë në këtë tokë dhe të bëjnë tregti në të, sepse toka, ja, është mjaft e gjerë edhe për ta. Bijat e tyre do t'i marrim për veten tonë si gra dhe bijat tona do t'ua japim atyre.
22 Vetëm me këtë kusht këta burra do të pranojnë lidhur me ne që të banojnë me ne dhe që të bëhemi një popull i vetëm: që të rrethpritet çdo mashkull që kemi, ashtu siç janë rrethprerë ata.
23 Bagëtia e tyre dhe ajo që fitojnë ata, dhe të gjitha kafshët e tyre, a nuk do të jenë tonat? Vetëm le të pranojmë lidhur me ta dhe ata do të banojnë me ne".
24 Dhe gjithë ata që dilnin nga porta e qytetit të tij, e dëgjuan Hamorin dhe Shekemin, birin e tij; dhe çdo mashkull u rrethpre, gjithë ata që dilnin nga porta e qytetit të tij.
25 Dhe ndodhi që, në ditën e tretë, kur ata ishin në dhimbje, dy bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezërit e Dinës, morën secili shpatën e vet dhe erdhën kundër qytetit që ndihej në siguri dhe vranë çdo mashkull.
26 Edhe Hamorin dhe Shekemin, birin e tij, i vranë me tehun e shpatës dhe morën Dinën nga shtëpia e Shekemit, dhe dolën.
27 Bijtë e Jakobit erdhën mbi të therurit dhe plaçkitën qytetin, ngaqë ata kishin ndotur motrën e tyre.
28 Të imëtat e tyre dhe të trashat e tyre, dhe gomarët e tyre, dhe gjithçka që ishte në qytet, dhe gjithçka që ishte në fushë, i morën.
29 Dhe gjithë pasurinë e tyre, dhe gjithë të vegjlit e tyre, dhe gratë e tyre, i morën rob dhe i plaçkitën; edhe gjithçka që ishte nëpër shtëpi.
30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit dhe Levit: "Më keni sjellë telash duke më bërë të qelbur ndër banorët e vendit, ndër kanaanitët dhe ndër perizitët! Por unë kam pak njerëz dhe ata do të mblidhen kundër meje dhe do të më godasin, dhe do të shkatërrohem unë dhe shtëpia ime".
31 Por ata thanë: "A si kurvë duhej ta trajtonte ai motrën tonë?".
Të gjithë librat
