Zanafilla 33
1 Dhe Jakobi ngriti sytë dhe pa; dhe ja, po vinte Esau dhe me të ishin katërqind burra. Atëherë ai i ndau fëmijët midis Leas dhe Rakelës, dhe dy shërbëtoreve.
2 Dhe i vendosi shërbëtoret dhe fëmijët e tyre të parët, pastaj Lean dhe fëmijët e saj nga pas tyre, dhe Rakelën dhe Jozefin nga pas tyre.
3 Ndërsa ai vetë kaloi përpara tyre dhe ra përmbys përtokë shtatë herë, derisa u afrua te vëllai i tij.
4 Por Esau vrapoi për ta takuar dhe e përqafoi, dhe iu hodh në qafë, dhe e puthi; dhe ata qanë.
5 Pastaj Esau ngriti sytë dhe pa gratë dhe fëmijët, dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Dhe Jakobi tha: "Fëmijët të cilët Perëndia ia fali shërbëtorit tënd".
6 Atëherë u afruan shërbëtoret, ato dhe fëmijët e tyre, dhe ranë përmbys.
7 Pastaj u afrua edhe Lea dhe fëmijët e saj dhe ranë përmbys. Dhe më pas u afruan Jozefi dhe Rakela dhe ranë përmbys.
8 Dhe Esau tha: "Çfarë e kishe gjithë atë fushim që takova?". Dhe ai tha: "Që të gjej hir në sytë e timzot".
9 Dhe Esau tha: "Unë kam mjaft, o vëllai im. Qoftë e jotja ajo që ti ke!".
10 Dhe Jakobi tha: "Jo, të lutem! Nëse tani kam gjetur hir në sytë e tu, atëherë do ta marrësh dhuratën time nga dora ime, duke qenë se pashë fytyrën tënde si të kisha parë fytyrën e Perëndisë dhe ti më ke pranuar.
11 Merre, të lutem, bekimin tim që është sjellë për ty, sepse Perëndia ka qenë i hirshëm me mua dhe sepse kam për vete gjithçka". Kështu, ai e shtyu atë dhe Esau e mori.
12 Pastaj Esau tha: "Le të nisim udhëtimin e të shkojmë, dhe unë do të shkoj përpara teje".
13 Por Jakobi i tha atij: "Imzot, ti e di se fëmijët janë njomëzakë dhe kam mbi vete të imëta dhe të trasha që mëndin. E nëse i marrin përpara me forcë një ditë të vetme, atëherë do të ngordhin të gjitha kafshët.
14 Të lutem, le të kalojë imzot përpara shërbëtorit të tij, ndërsa unë le të vijoj shtruar, sipas hapit të gjësë së gjallë që është përpara meje dhe sipas hapit të fëmijëve, derisa të vij tek imzot në Seir".
15 Atëherë Esau tha: "Më lejo, të lutem, të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por ai tha: "Përse duhet kjo? Le të gjej hir në sytë e timzot".
16 Kështu, në atë ditë Esau u kthye në rrugën e tij drejt Seirit.
17 Por Jakobi udhëtoi për në Sukot dhe ndërtoi për veten një shtëpi, ndërsa për bagëtinë e tij bëri kasolle. Prandaj iu vu emri vendit Sukot.
18 Dje Jakobi arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Shekemit, që është në tokën e Kanaanit, kur ai erdhi nga Padan Arami dhe fushoi përballë qytetit.
19 Pastaj, pjesën e fushës ku kishte ngritur atje çadrën e tij, e bleu nga dora e bijve të Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind kesita.
20 Dhe ngriti atje një altar, dhe e quajti El Elohej Izrael.
Të gjithë librat
