Zanafilla 32
1 Tani, Jakobi shkoi rrugës së tij dhe atë e takuan engjëjt e Perëndisë.
2 Dhe kur i pa, Jakobi tha: "Ky është fushimi i Perëndisë". Kështu, ia vuri emrin atij vendi Mahanaim.
3 Atëherë Jakobi dërgoi lajmëtarë përpara tij tek Esau, vëllai i tij, në tokën e Seirit, në visin e Edomit.
4 Dhe i urdhëroi ata duke thënë: "Kështu do t'i thoni zotërisë tim, Esaut: 'Kështu thotë shërbëtori yt, Jakobi: Kam banuar si ardhës me Labanin dhe jam vonuar deri tani.
5 Por kam me vete qe dhe gomarë, grigja dhe skllevër, dhe skllave; dhe dërgova njerëz për t'ia treguar zotërisë tim, që të gjej hir në sytë e tu'".
6 Dhe lajmëtarët u kthyen te Jakobi, duke thënë: "Shkuam te vëllai yt, tek Esau; edhe ai, gjithashtu, është nisur për të të takuar dhe katërqind burra janë me të".
7 Atëherë Jakobi pati shumë frikë dhe u ndie ngushtë; dhe i ndau njerëzit që ishin me të, si edhe të imëtat dhe të trashat, dhe devetë, në dy fushime.
8 Dhe tha: "Nëse Esau vjen kundër njërit fushim dhe e godet, atëherë fushimi që mbetet do të mbijetojë".
9 Dhe Jakobi tha: "O Perëndia i atit tim Abraham dhe Perëndia i atit tim Isak, o Jahveh, ti që më ke thënë: 'Kthehu te toka jote dhe te farefisi yt, që të të bëj të mira ty',
10 unë nuk jam i denjë për gjithë veprat e besëmirësisë dhe për gjithë besnikërinë që ke treguar me shërbëtorin tënd, sepse veç me shkopin tim e kalova këtë Jordan, ndërsa tani jam bërë me dy fushime.
11 Më liro, të lutem, nga dora e vëllait tim, nga dora e Esaut, sepse unë e kam frikë atë, se mos vjen dhe më godet mua bashkë me nënë e me fëmijë.
12 Tani, ti vetë ke thënë: 'Patjetër do të të bëj të mira dhe do ta bëj pasardhjen tënde si rëra e detit që nuk mund të numërohet për shkak të morisë së saj'".
13 Dhe ai e kaloi atë natë aty. Dhe nga gjithçka që kishte me vete, mori një dhuratë për Esaun, vëllain e tij:
14 dyqind dhi dhe njëzet cjep, dyqind dele dhe njëzet desh,
15 tridhjetë deve pëllé dhe të vegjlit e tyre, dyzet lopë dhe dhjetë dema, njëzet gomarica dhe dhjetë kërriça.
16 Pastaj ato ua dha në dorë shërbëtorëve të tij, çdo kope veçmas, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Kaloni përpara meje dhe lini një hapësirë ndërmjet një kopeje dhe kopesë tjetër".
17 Dhe e urdhëroi të parin, duke thënë: "Kur të të takojë Esau, vëllai im, dhe të të pyesë duke thënë: 'I kujt je ti dhe ku po shkon? Dhe të kujt janë këto kafshë përpara teje?',
18 atëherë do të thuash: 'Janë të shërbëtorit tënd, Jakobit. Kjo është një dhuratë e dërguar për timzot, për Esaun; dhe ja, edhe ai është mbas nesh'".
19 Dhe urdhëroi edhe të dytin, edhe të tretin, edhe gjithë ata që shkuan mbas kopeve, duke thënë: "Në këtë mënyrë do t'i flisni Esaut, kur ta gjeni atë.
20 Dhe do të thoni gjithashtu: 'Ja, shërbëtori yt, Jakobi, është mbas nesh'". Sepse tha: "Do ta zbus me dhuratën që shkon përpara meje dhe më pas do të shoh fytyrën e tij; ndoshta do të më mirëpresë".
21 Kështu, dhurata kaloi përpara tij, ndërsa ai vetë e kaloi atë natë në fushim.
22 Dhe në atë natë ai u çua dhe mori dy gratë e tij dhe dy shërbëtoret e tij, dhe njëmbëdhjetë djemtë e tij, dhe kaloi vaun e Jabokut.
23 Kështu, ai i mori ata dhe i kaloi përtej përroit. Kaloi përtej edhe atë që i përkiste.
24 Atëherë Jakobi mbeti vetëm dhe një burrë u ndesh me të derisa çeli agimi.
25 Dhe ky pa se nuk po e mundte, atëherë preku kërdhokullën e kofshës së tij. Dhe kërdhokulla e kofshës së Jakobit doli nga vendi, ndërsa ai po ndeshej me të.
26 Dhe ai tha: "Më lër të shkoj, sepse çeli agimi". Por Jakobi tha: "Nuk të lë të shkosh, veç nëse më bekon".
27 Dhe ai i tha Jakobit: "Cili është emri yt?". Dhe ai tha: "Jakob".
28 Dhe ai tha: "Nuk do të thirret më Jakob emri yt, por Izrael, sepse ke luftuar me Perëndinë dhe me njerëzit dhe ke fituar".
29 Pastaj Jakobi e pyeti dhe tha: "Më trego, të lutem, emrin tënd". Por ai tha: "Çfarë është kjo: që pyet për emrin tim?". Dhe e bekoi atë aty.
30 Atëherë Jakobi ia vuri emrin vendit Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe m'u fal jeta".
31 Dhe dielli lindi mbi të sapo ai kaloi Penuelin; dhe ai po çalonte për shkak të kofshës së tij.
32 Prandaj bijtë e Izraelit, deri në këtë ditë, nuk e hanë gilcën e nervit që është pranë kërdhokullës së kofshës, sepse ai preku kërdhokullën e kofshës së Jakobit në gilcën e nervit.
Të gjithë librat
